E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama gjyqtarëve për pagat: Vetëm Kuvendi mund të “hapë derën” e Thesarit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes së krijuar për pagat e magjistratëve dhe kallëzimit të bërë ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj.

Në një reagimin e tij në “X”, Rama thotë se kallëzimi penal ndaj ministrit për moszbatimin e rritjes së pagave ka një mangësi, pasi sipas tij, në të duhet të ishin përfshirë edhe emri i tij dhe ai i ministrit të Drejtësisë.

“Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij”, shkruan Rama, duke shtuar se edhe ekipet juridike të qeverisë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim, sipas tyre, pushteti gjyqësor nuk mund të ndryshojë vetë pagat dhe të hapë fondet e Thesarit, pasi këtë kompetencë e ka Kuvendi.

Përplasja lidhet me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rillogaritjen e pagave të magjistratëve.

Ministria e Financave ka argumentuar se listëpagesat e gushtit janë paraqitur nga KLGJ dhe KLP me një metodologji të ndryshme nga ajo në fuqi dhe ka kërkuar që ato të ridërgohen sipas formulës së mëparshme, deri në miratimin e ndryshimeve ligjore nga Kuvendi.

Ndërkohë, sistemi gjyqësor ka kërkuar zhbllokimin e pagesave dhe ka kundërshtuar qëndrimin e Ministrisë së Financave, duke argumentuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.

Gjykata e Lartë i ka kërkuar gjithashtu ministrit Malaj zhbllokimin e menjëhershëm të pagave.

Rama shprehet se, pavarësisht debatit, qëndrimi i qeverisë nuk ndryshon.

“Pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan kryeministri.

Rama e cilëson debatin për rritjen e pagave si një histori të panevojshme, duke iu referuar faktit se bëhet fjalë për kategorinë më të paguar të administratës publike.

Reagimi i plotë:

Kallzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit pa kaluar nga pushteti legjislativ. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar dhe e shumëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›