Rama, hajduti me i toleruar, por këtë radhë s’kalon dot

Kryetar i PS, i zënë nga paniku i hetimeve të prokurorisë Tiranë për praktikën e dhënies së lejes së ndërtimit të pallatit të familjes së bashkëshortes, po radikalizon gjuhën bolshevike. Me shpresën se dosja do të mbyllet, njëlloj siç është vepruar më herët me skandalin e fasadave, tenderat e lejeve të ndërtimit dhe rrjetën e klientëve partiakë, Edi Rama po refuzon t’i përgjigjet publikut... Por këtë herë, me përbetime sovjetike për heqje taksash dhe shëndetësi falas, s’i shpëton dot drejtësisë
Kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama në intervistën e fundit televizive 360o gradë, pyetjes “kush e bën pazarin në shtëpinë tuaj”, iu përgjigj, “nuk jam marrë asnjëherë me bilancin ekonomik”, duke iu shpëtuar në një farë mënyrë të vërtetës.
Në fakt, Edi Rama me bilancin ekonomik personal ka të bëjë më shumë seç thotë në publik. Si arkitekt i filozofisë “edhe punojmë edhe vjedhim” në administratën publike, ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama u ka bërë bisht ballafaqimit me hetimin e abuzimeve dhe shpërdorimit të detyrës në Bashkinë Tiranë.
Kreu i opozitës së sotme është akuzuar publikisht nga një ish-ministre socialiste e MTKRS për abuzime korruptive me lyerjen e fasadave të pallateve në Tiranë. Kjo dosje nuk është hapur kurrë. Ashtu siç kanë pasur fatin shumë dosje të tjera për ish-kryebashkiakun Rama që firmoste leje ndërtimi për pallate në hapësirat publike.
Ndërkohë prova të reja kanë dalë në dritë duke vërtetuar një praktikë jo fort ligjore të Edi Ramës me lejet e ndërtimit në Tiranë. Dhe prova më e re është dopio-standardi i përdorur nga ish-kryebashkiaku Edi Rama për dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Kjo është një provë themelore që vërteton përkuljen e ligjit sipas moralin imponues korruptiv.
Ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka përdorur nenin 62 të Ligjit 8405, “Për Urbanistikën”, për t’i anuluar lejen e ndërtimit një qytetari të quajtur Edision Tefik Cela, në rrugën Qamil Guranjaku, që pronën e kishte vetëm 20 metra më tej familjes së Linda Bashës, dhe po në kundërshtim me këtë nen ka dhënë leje për ndërtimin e ndërtesës pesëkatëshe. Në këtë lulishte publike te rruga “Qamil Guranjaku” jo të gjithë mundën të ndërtojnë ndërtesa shumëkatëshe. Ish-kryebashkiaku Edi Rama është përkujdesur të ndërtonin veç njerëzit kishin një partneritet me të dhe jo pronarë të tjerë të ligjshëm. Ish-kryebashkiaku Rama ka përdorur dy standarde të ndryshme për një shesh publik, ku nga njëra anë lejon familjen e bashkëshortes Linda Basha të ndërtojë dhe në sajë të pushtetit të tij, nga ana tjetër të anulojë lejen për komshiun.
Gjithashtu Prokuroria e Tiranës po heton në lidhje me Pallatin e Linda Bashës. Objekt i hetimit është praktika që është ndjekur me dhënien e lejes së ndërtimit, nëse është bërë ose jo verifikim i planit urbanistik me verifikim, nëse ka mbivendosje të lejes së ndërtimit me objekte të tjera urbanistike, siç është lulishtja publike. Do verifikohet gjithashtu mobilizimi i regjistrit të pallatit në pajë dhe roli i ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik të Territorit, në Bashkinë e Tiranës, e cila me autorizim të Edi Ramës, nxiton, plotëson dosjen dhe firmos lejen e shfrytëzimit (Nr. 3888/1 Prot., datë 07. 06. 2011) të objektit, megjithëse në bashki, ende nuk ishte dorëzuar projekti i detajuar teknik kur u lëshua leja e tretë në dhjetor të vitit 2008. Puna e Prokurorisë së Tiranës parashikohet të jetë e vështirë përderisa familja e bashkëshortes së Edi Ramës, nuk ka depozituar në Bashkinë Tiranë asnjë faturë për ndërtimin e pallatit pesë katesh (4 + 1 nëntokë). Dhe përtej justifikimeve të Linda Ramës është e vështirë të besohet që ndërtimi i këtij objekti shumëkatësh të jetë bërë me kursime të një xhaxhai pensionist (Hasan Basha) dhe vëllait të vetëpunësuar (Fatmir Basha).
Sido që të jetë Partia Demokratike ka kërkuar më shumë se një herë sqarime për këtë leje ndërtimi dhe për deklarimin e pasurisë së pretendentit për kryeministër, Edi Rama. Është çështje me shumë rëndësi publike të njohim pasurinë e politikanit të profilit të lartë që ka qeverisur për 13 vjet, ministri, bashki e parti dhe nuk bën të ditur pozitën e tij financiare dhe bilancin e tij ekonomik.