E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama hedh poshtë pretendimet për dëmtim të mureve antike në Bënjë: Rehabilitim i strukturave ekzistuese nga i njëjti burrë i zanatit që ishte në krye të punës edhe para 10 viteve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve të ngritura së fundmi, lidhur me dëmtimin e supozuar të mureve antike në zonën turistike të Ujërave Termale të Bënjës, në Përmet. Përmes një deklarate publike, kreu i qeverisë ka sqaruar se gjatë punimeve nuk është prekur asnjë trashëgimi antike, por është kryer rehabilitimi i një strukture mbajtëse të ndërtuar vite më parë.

Për të mbështetur qëndrimin e tij, Kryeministri publikoi pamje fotografike të realizuara një dekadë më parë, të cilat dokumentojnë sistemimin e parë të kësaj zone. Sipas sqarimeve të dhëna, ndërhyrja e asaj kohe konsistoi në rindërtimin e një muri prej betoni të amortizuar, i cili për arsye estetike u vesh me gurë. Projekti i ri i rehabilitimit, sipas qeverisë, synon përmirësimin e infrastrukturës së zonës dhe është realizuar nga të njëjtët mjeshtër që u angazhuan në punimet e një dekade më parë.

Duke iu referuar këtij procesi, Kryeministri Rama theksoi:

“Dhjetë vjet më parë, me mundësitë që ishin, u bë edhe sistemimi i parë i Ujërave Termale të Bënjës, kur siç e shihni u rivendos edhe muri i betonit – i mëparshmi ishte katandisur si s’ka më keq – dhe u vesh me gurë. Pra, jo vetëm që nga vaskat e Bënjës nuk janë hequr mure antike, po fiks i njëjti burrë i zanatit që shihni në krye të punës para 10 viteve, i ka qëndruar mbi kokë punës me dashamirësi, së bashku me disa ustallarë të gurit, edhe për projektin e ri që e ka rilindur këtë destinacion turistik me një cilësi krejt të re.”

Përtej detajeve teknike të ndërhyrjes, kreu i ekzekutivit e konsideroi reagimin ndaj këtij projekti si një përpjekje për të dezinformuar opinionin publik. Ai theksoi se këto akuza synojnë të dëmtojnë një investim që ka rritur cilësinë e një prej atraksioneve më të vizituara në jug të vendit.

Në përfundim të reagimit të tij në rrjetet sociale zyrtare, Kryeministri adresoi kritika të ashpra ndaj gjenezës së këtyre pretendimeve, duke i cilësuar ato me prapavijë politike:

“Këmbëngula disa herë dje e sot tek ky rast konkret, sepse furtuna histerike e vaskave të Bënjës e tregon qartë pse korja e mbetjeve të politikës dhe shoqërisë mbi sipërfaqen e ujit të pastër të protestës, është një masë e mbledhur bashkë nga instinkti i hakmarrjes ndaj Shqipërisë që i ka lënë mbrapa; dështakë me emër apo anonimë që duan emër, të cilët vizion kanë urrejtjen, ide kanë gënjeshtrën dhe projekt kanë vetveten.”

Ujërat Termale të Bënjës mbeten një nga pikat kyçe të turizmit natyror dhe shëndetësor në Shqipëri.

Foto nga Ujërat Termale të Bënjës 10 vite më parë

Foto nga Ujërat Termale të Bënjës sot

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›