Rama i lëshon Gjanicën qarkut të Fierit

Çështja e Fierit ekziston dhe ajo s’ka të bëjë me Qarkun e Fierit apo dëshirat e Vangjelit të Ramës, por me katastrofën që bashkia e Ramës po i shkakton qytetit me lumin e Gjanicës. Shumica e fondeve të buxhetit të bashkisë kanë shkuar për ekstravaganca arti të porositura nga Edvini, apo për sponsorizime direkte në selinë e kryeqytetit, duke e lënë qytetin në mëshirë të lumit, me përmbytjen e 20 dyqaneve e 70 shtëpive të banimit. Ka ardhur koha që kuçedra e PS të ndalë përmbytjen e qytetit që e paragjykon si moçalin e partisë
Ekziston çështja e Fierit. Nuk është ajo me të cilën kreu i Partisë Socialiste Edi Rama kushtëzoi votimin e tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian, në mënyrë që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat. Por është çështja e përmbytjeve në qytetin e Fierit pas daljes nga shtrati të lumit Gjanica që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale bizneseve dhe familjeve fierake.
Lumi Gjanica që kalon mes përmes qytetit të Fierit për shkak të reshjeve të dendura, por dhe si pasojë e mos pastrimit të shtratit të lumit nga ana e Bashkisë Fier ka shpërthyer si një furi drejt kateve të para të pallateve duke përmbytur mbi 20 dyqane të tregut industrial, 70 shtëpi banimi, në orën e para të mëngjesit të djeshëm. Dëmet e përllogaritura ndaj komunitetit të biznesit në këtë zonë kapin sipas vlerësimeve të para shifrën e 50 milion lekë (të vjetra).
Prej 15 vjetësh në lumin Gjanica nuk është ndërhyrë për largimin e inerteve përgjatë shtratit duke bërë që përmbytjet të jenë të shpeshta veçanërisht në sezonin e reshjeve. Ndonëse në vitin 2010, Kryebashkiaku i Fierit prej tre mandatesh Baftjar Zeqo në një takim me ambasadorin e OSBE, Eugen Volfarth e njihte me punën e bërë nga Bashkia e Fierit për përmirësimin e kësaj situate dhe me punën konkrete për përmirësimin e gjendjes së lumit Gjanica, në fakt, puna e bërë nga Bashkia Fier ishte pesë me hiç, pasi në 6 janar të këtij viti në një nga pikat më nevralgjike të qytetit, pra ish-tregu Industrial tregtarët nuk janë lejuar nga policia bashkiake, të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ka qenë një vendim i Këshillit Bashkiak, më herët dhe së fundmi vendimi i Kryetarit të Bashkisë, ai që e zhvendosi këtë treg pasi përmbytej kur binte shi, ndonëse bizneset që u lejuan të kryenin aktivitetin e tyre pasi ishin të sigurt. Por dhe aq e sigurt kjo zonë nuk ishte pasi shtrati i lumit Gjanica jo vetëm që nuk u rehabilitua, por në saj të papërgjegjshmërisë së drejtuesve të Bashkisë pësoi një tjetër përmbytje me përmasa të jashtëzakonshme. Me keq se përmbytja ishte dhe heshtja e kryetarin të Bashkisë Fier që preferoj të zhdukej nga qarkullimi dje, duke mos e prishur ditën e pushimit të fundjavës.
Reagimet
Partia Demokratike dega Fier ka denoncuar fort të këtë papërgjegjshmëri dhe keqqeverisje të Kryetarit të Bashkisë Fier Baftjar Zeqo me anë të një deklarate për shtyp.
“Jemi sot këtu për të denoncuar këtë keqqeverisje dhe shpërfillje të kryetarit të Bashkisë Fier Baftjar Zeqaj shfaq ndaj problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve Fierakë. Me qindra familje e biznese, rrugica e trotuare janë plotësisht të mbuluara nga sasi të mëdha uji, si pasojë e daljes nga shtrati e lumit Gjanica. Për ironi të fatit asnjë prej zyrtarëve të Bashkisë Fier, as dhe kryebashkiaku Baftjar nuk u gjend të paktën moralisht tek familjet e prekura”, shprehet në një deklaratë zyrtare PD dega Fier.
Po kështu sekretari i përgjithshëm i Prefekturës Vasil Ndreko akuzon bashkinë Fier për mungesë vëmendjeje ndaj problemeve të qytetarëve. “Ajo që është shqetësuese që gjatë këtyre orëve asnjë punonjës, asnjë anëtar i shtabi të emergjencës, jo më kryetari i Shtabit të emergjencës Kryetari i Bashkisë Fier, që e ka detyrim ligjor të vijë dhe të konstatojë dëmet, pasi ai vjel taksat dhe me taksat bën punë. Por ai nuk është parë dhe gjendur në këtë situatë të vështirë. unë këtë e denoncoj”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i Prefekturës Vasil Ndreko.
Sipas Ndrekos ky institucion vjel taksat dhe është përgjegjës për ndërhyrje në rastet e emergjencës.
Ndërkohë Edmond Levanaj, kryetari i grupit të punës pranë bashkisë Fier ia kalon përgjegjësinë qeverisë. Sipas Levanaj përgjegjësia i takon qeverisë pasi rehabilitimi i lumit Gjanica kap shifrat e 35 milionë euro dhe bashkia nuk mund ta përballojë pasi nuk fonde të mjaftueshme.
Keqqeverisja
Para ca kohësh Baftjar Zeqo, kryebashkiak i Fieri dha një intervistës që mund të përmblidhen me fjalët “projektin e kam gati, por s’kam para”. Nga ana tjetër, kryetari socialist i Bashkisë Fier shpenzon shuma marramendëse për të inauguruar vepra arti, siç ishte rasti i “Globit” ose ndryshe “Europa Plaza”, që ka kushtuar qimet e kokës, ndërsa për pastrimin e shtratit të lumit Gjanica s’ka fonde. Përurimi i veprës së artit në Fier çoi vetë kryetarin e PS, Edi Rama që u shpreh i mrekulluar prej punës së bërë.
“Europa Plaza”, siç është quajtur vepra infrastrukturore në Fier, është një glob 11 metra i lartë dhe diametër 7 metra në masiv hekuri. Ky është një investim i bashkisë së qytetit të Fierit, por kostoja e kësaj vepre arti nuk është e aksesueshme.
Për ironi, pas këtij investimi, ndërsa Edi Rama ju lëshoi shqiptarëve lumin e përmbytjes së mundësisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, në emër të qarkut të Fierit, tashmë, vetë qarkut të Fierit, i lëshon për përmbytje lumin Gjanica.
Qytetit i Fierit hyn në listën historike të qyteteve të përmbytura për shkak të keqqeverisjes së pushtetit vendor, e për më shumë të qeverisura kryesisht nga administratorë socialistë. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës në Bashkisë Tiranë përmbytja nuk vinte vetëm nga lumi Lana por do të vinte çuditërisht edhe nga hapja e digës së liqenit artificial që shkaktoi aq shumë dëme banorëve e bizneseve të komunës së Parisit. Kësisoj alibia e Ramës për qarkut Fier merr kuptim në kuptim në përmbytjen që shkakton keqqeverisjes socialiste në Bashkinë Fier. Edi Rama krenohej për kryebashkiakun e Fierit,por prej ditës së djeshme ai ka arsye të mëdha për ta urryer sepse nga Fieri do të vijë dhe humbja e tretë radhazi.