Rama i përgjigjet Bashës: Misioni yt për të më larguar mua duhet të vazhdojë

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, ka ironizuar sot kreun e demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha i cili një ditë më parë përmes një videoje publikuar në rrjetet sociale pyet se ku është fshehur Kryeministri.
Rama ironizon Bashën duke u shprehur se “misioni yt për të më larguar mua duhet të vazhdojë, plus që kush vjen me ty fiton. Edhe kur humb fiton, prandaj forca”.
“Duke shkuar rrugës për Fier dhe më vjen kjo video nga Luli… Po më Lul si mos pyes për ty. Na thave sytë mo zotni. Po si thanë: vdiq Luli. Vetëm unë se besova se e di që je i pavdekshëm. Stres zero, gjumi top, 7 x 7 bëjnë 42 dhe se luan topi. Ku ka vdekje që të afrohet ty mo Lul. Vetëm kur dole dhe the që jam gjallë aty thash, mos s’po rren tashi. I ndeze motorët. I madh je! Po shyqyr mo Lul dhe bravo Oriolës edhe Euroatlantikëve që s’të kanë lënë vetëm se misioni yt për të më largu mua duhet të vazhdojë, plus që kush vjen me ty fiton. Edhe kur humb fiton, prandaj forca. Aty ku m’ke lënë Lul. Aty. Sipër çadrës tënde. Eh ça kohe ishte ee, ti poshtë meje duke kënduar himnin kombëtar dhe unë që punoja lart me zërin tënd në sfond. Pastaj marrëveshja për të dalë krah për krah nga çadra me ballin lart, flokët si gjithmonë pik edhe me atë xhepin tat plot me mesazhet e dokut tënd që të çonte zemra në i-Phone. Jam tremb se ti do fitosh prap or Lul. Po hallall, hallall se e meriton vetëm bëhu i gjallë, mos mu nda tashti. Hajde vllai. Forca demokratët Euroatlantik. Erdhi dita, Rama ik”, shprehet Rama përmes video-mesazhit në rrjetet sociale.