Rama i rrëmben Maliqin Hoxhajt, këshilltar i Kryeministrit për rajonin
Kabineti i ri i Kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t’ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur, që do të vijë nga Prishtina, Shkelzen Maliqi.
Lajmi është konfirmuar nga vetë kryeministri i ardhshëm Edi Rama në rrjetin social facebook, i cili e lidh këtë vendim të tij me ecjen më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar.
Ndërsa vlerëson se marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish, Rama thekson se na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik.
Shkelzen Maliqi aktualisht është këshilltar polik i Ministrit Enver Hoxhaj.