Rama inspekton rrugën Bunavi–Kërkovë në Vlorë: Hap perspektiva të reja zhvillimi për fshatrat e zonës

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet në rrugën Bunavi – Kërkovë, në qarkun Vlorë, e cila ka hyrë në fazën e dytë të ndërtimit të saj. Rama tha se kjo rrugë hap një perspektivë të re zhvillimi për shtatë fshatra të njësive Qendër dhe Llakatund, e njëkohësisht do t’i shërbejë edhe Bazës Ushtarake të Bunavisë.
Kryeministri theksoi se do të bëhen ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës së godinave, në mënyrë që të rinjtë të shkollohen në mjedise me kushte optimale
“Duhet të bëjmë një ndërhyrje këtu. Duhet ta përmirësojmë cilësinë këtu, po bëjmë gjithë atë punë me konviktet dhe shkollat profesionale që do bëhen konvikte europiane që kush çon fëmijën, sidomos nga fshatrat në një shkollë personale, ta ketë me kushtet më të mira. Tani këtu vijnë ushtarakët për muajt e parë duhet t’i bëjmë kushtet optimale. I kemi mundësitë të bëjmë një investim, t’i përmirësojmë këto godina, të bashkëpunojmë edhe me fondin, t’i veshim me sistemin e kursimit të energjisë”, u shpreh Kryeministri.
I pranishëm në këtë inspektim ishte edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili informoi se bazës ushtarake të Bunavisë do t’i bashkohen edhe 500 ushtarakë dhe personel mbështetës, të cilët do t’i marrin shërbimet e nevojshme nga banorët e zonës, përfshirë këtu edhe ushqimin me produkte bujqësore të zonës.
“Këtu është edhe baza, kjo është qendra e formimit profesional dhe shkollat e formimit të muajve të parë të të gjithë ushtarakëve, baza e famshme e Bunavisë, të cilës do i bashkohen edhe një brigadë emergjencave civile, që do jetë e dedikuar për qarkun e Vlorës. Ishte i vetmi qark që nuk ishte brigadë të emergjencave civile dhe praktikisht në këtë bazë do jenë në mënyrë permanente 500 ushtarakë dhe personel mbështetës çka e bën edhe një vend ku nevojiten më shumë shërbime dhe ne do të gjejmë një mënyrë së bashku me bashkinë që të mund të marrin shërbime nga banorët e zonës, ushqim nga zona, në mënyrë që të rigjenerohet pak edhe ajo ekonomia lokale”, u shpreh Vengu.
Drejtori i FShZh Dritan Agolli, shpjegoi se aktualisht po kryhet faza e dytë e punimeve, pasi pjesa e parë prej 4 kilometrash ka përfunduar tashmë.
“Aktualisht jemi duke punuar për shtesën asfaltike për vazhdimin e kësaj deri në qendër të fshatit Bunavi, madje, edhe një degëzim aty në qendër të fshatit. Kjo është rreth 3 kilometra rrugë, duke i dhënë akses gjithë kësaj zonës, që ashtu siç e thamë, është një zonë me potencial të jashtëzakonshëm agro-bujqësor me ullishte fantastike”, u shpreh ai.
/rtsh.al/