Rama prezanton kandidatët për deputetë në Gjirokastër: Vetëm PS realizon integrimin e vendit në BE

Nga Gjirokastra, ku prezantoi kandidatët për deputetët e qarkut kryeministri Edi Rama e konsideron 11 majin ditën kur do vendoset integrimi ose jo evropian i vendit. Rama tha se vetëm PS do ta fusë Shqipërinë në BE
“Edhe ata që janë demokratë, duhet të bashkohen tek ajo kutia jonë në fletën e votimit. Është mu në mes. Sepse duhet që negociatat të mos ndërpriten asnjë sekondë, të mos luhatet procesi asnjë skedon, kemi negociuar një kalendar 3 vjet. Janë 250 mijë faqe me ligje, me vendime, me rregulla që duhen marrë dhe adaptuar. Një votë më e fortë se sa thjeshtë shumica e PS, është mesazh për atë në Bruksel, se shqiptarët përtej të majtës së djathtës, përtej partive, po na thonë me votën e tyre që ne e kuptojmë mesazhin tuaj, e pranojmë sfidën që na keni bërë. Ne të gjithë si popull mbështesim këtë proces dhe duam të bëhemi anëtarë të BE“, u shpreh Rama.
Rama u kërkoi edhe demokratëve të bëjnë llogaritë për familjet e tyre.
“Se duhet ta shohësh nga pozita e interesit tënd si prind për fëmijën tënd që ‘bufi i kënetës’ mund të të bëjë të shpresosh kot se po mundemi ne, po nuk të bën atë që ty të duhet, që fëmijës tënd që sot është 14 vjeç dhe pas 4 vitesh kur të bëhet 18 dhe do të shkojë jashtë për të studiuar ti t’i japësh pasaportën e BE. Dhe duke i dhënë pasaportën e BE, fëmija jot nuk është siç janë sot fëmijët që studiojnë në Evropë, pra nuk trajtohen si studentë të huaj me kuota dhe me tarifa që janë ndryshe, por trajtohet njësoj si studentët evropianë”, tha Rama.
Me anëtarësimin evropian, tha Rama, përfitimet ekonomike do të jenë afro 1 miliardë euro në vit.
/rtsh.al/