Rama iu lut për një post ministri, por avokat Ngjela e ka inatin me Ilir Metën
Një nga diskutimet më të ndezura ditën e djeshme ishte ai se pse avokat Spartak Ngjela nuk figuronte në kabinetin e ri.
Burime të gazetës DITA thanë dje se Ngjela dhe Rama kanë qenë në komunikim intensive deri në orët e fundit para shpalljes publike të kabinetit.
Madje, Ngjela ka qenë një ndër arsyet kryesore të shtyrjes së shpalljes së emrave të qeverisë së re. Këto emra ishin planifikuar të bëheshin publikë nga Rama fillimisht të martën në orën 19.00, dhe u shtynë për të mërkurën në orën 11.00 paradite.
Sipas disa burimeve afër Ngjelës, ai e ka inatin me Metën të cilin e konsideron si pengesën kryesore për mungesën e tij në kabinet. DITA kishte paralajmëruar disa ditë më parë që Ministria e Drejtësisë do ti shkonte LSI-së.
Rama i ka dërguar lutje të shumta përgjithësisht telefonike që të pranonte një nga 3 postet e ministrave të shtetit. Por Ngjela ka refuzuar deri në fund. Në telefonin e tij, SMS-të e Ramës janë të panumërta. Të njëjtat burime afër avokatit, thanë për DITA se ai po peshon nëse duhet të mbajë apo jo qëndrime publike.