E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha sulmon qeverinë e re: Rama la jashtë vlera dhe kapacitete serioze të PS-së

bashaKryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli në një konferencë për shtyp duke sulmuar kabinetin e ri qeveritar.

Basha tha se jashtë kabinetit janë lënë vlera të PS dhe aty janë përfshirë kamikazët e Edi Ramës.

Basha shkoi edhe më larg kur tha se kabineti nuk përfaqëson interesat e votuesve, që besuan tek e majta.

Kryetari i ri i PD tha se ata janë vendosur që si opozitë të qëndrojnë përballë këtij kabineti të kapur. 

DEKLARATA

Edi Rama njoftoi dje ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes së shqiptarëve dhe që do të përgjigjet për premtimet piramidale dhe amatoreske me të cilat erdhi në pushtet.

Tok me emrat e shqiptuar dje nga kryesocialisti, në veshët e shqiptarëve gjëmuan jehonat e të shkuarës së palavdishme dhe të bëmave të errëta të anëtarëve të këtij ekipi eksperimental.

Aktorë të së kaluarës së largët, ministra të Ramiz Alisë, protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti gjatë qeverisjes së korruptuar të para 2005-ës, sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të vendimmarrjeve europiane, protagonistë të lidhjeve me trafiqet dhe lidhje nepotike dhe menaxhues të njohur të interesave të ish- kryetarit në Bashkinë e kryeqytetit deri para dy vitesh.

Pra, një ekip që mbledh paaftësinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual dhe reflekset korruptive dhe autoritare!

Duke lënë jashtë vlera dhe kapacitete serioze të Partisë Socialiste, dhe duke përfshirë kamikazë personalë, Edi Rama shkelmoi çdo parim qeverisës të një demokracie parlamentare dhe shpiku rregulla të paqena në funksion të kapjes dhe mbajtjes së gjithë pushtetit për veten dhe tarafin e tij.

Pas tërheqjes nga çdo premtim që u ka bërë qytetarëve më 23 qershor, njoftimi i djeshëm nuk habit askënd, por vërteton se qeveria e zotit Rama nuk mund të ishte veçse një bashkësi që do i shërbejë kryetarit për të përmbushur ëndrrën e tij për tu ndjerë kryeministër dhe jo për tju shërbyer qytetarëve!

Ky pra nuk është ekipi që do tu shërbejë shqiptarëve, por ekipi që do ti përulet kryetarit dhe do ti shërbejë vetëm interesave të tij dhe të kupolës së errët të 23 qershorit!

Çdo shqiptar duhet ta dijë sot se shumë shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës dhe përçmues ndaj vullnetit dhe interesave të tyre do të rëndojnë mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e tyre dhe të familjeve të tyre.

Partia Demokratike është e vendosur që, në respekt të parimeve më të shenjta të demokracisë parlamentare dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, të përballet fuqishëm dhe të mbrojë interesat e vendit dhe qytetarëve nga kjo skemë e kapjes së pushtetit dhe e batërdisjes së paralajmëruar të shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›