Rama ka humbur zgjedhjet, por s’e lëshon karrigen

6 muaj pas nisjes së fushatës zgjedhore, çdo shqiptar, i madh e i vogël, e ka marrë vesh se Edi Rama i ka humbur zgjedhjet, por në vend të pranimit të rezultatit e nisjes së analizës, nga e majta vjen veç përpjekja për të marrë peng vendin, përmes protestave dhe refuzimit të vendimeve të institucioneve
Berisha: Turp për ata shqiptarë që thonë se s’duhet lexuar as vota e presidentit të shtetit
Kreu i ekzekutivit deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit se hedhja e votës në kutinë e gabuar, është e vlefshme dhe si e tillë duhet të trajtohet si shprehje e vullnetit të qytetarëve. Kryeministri kujtoi se edhe Presidenti i Republikës e kishte hedhur votën në kutinë e gabuar dhe se edhe kjo votë meritonte të numërohej si gjithë të tjerat. Kërcënimet e Ramës, kreu i qeverisë i konsideroi si tendenca për të mbrojtur me çdo kusht karrigen e bashkisë edhe pse e di që zgjedhjet i ka humbur
Kryeministri Sali Berisha zgjodhi seancën e djeshme Kuvendit, për të përshëndetur edhe njëherë qytetarët për votëbesimin që i dhanë mazhorancës në 8 maj ndërsa deklaroi sërish se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, i fitoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Sipas kryeministrit, qytetarët e shndërruan 8 majin në një ditë të idealeve të çmuara europiane dhe në një ditë historike për demokracinë shqiptare. “Dua të shfrytëzoj këtë seancë për të përshëndetur mbarë qytetarët shqiptarë, që me dinjitetin e tyre, me qëndrimin e tyre shndërruan 8 majin në një ditë të ngadhënjimit të idealeve të tyre evropiane, shndërruan 8 majin në një ditë të manifestimit të dinjitetit të qytetarëve të lirë, shndërruan 8 majin në një ditë vërtetë historike për demokracinë shqiptare, duke dëshmuar ndaj njëri- tjetrit dhe mbarë Evropës, votimin e tyre, qëndrimin e tyre të qytetëruar ndaj votës, si liria themelore demokratike e njeriut. Zoti Rama ka qeverisur Tiranën për 11 vjet, por me 8 maj qytetarët e Tiranës i dhanë ‘Aleancës për Qytetarin’ një fitore të katërfishtë, dhe kjo fitore qëndron në radhë të parë në parlamentin e kryeqytetit, në parlamentet e minibashkive, në kryetarët e minibashkive dhe një fitore të qartë, të ngushtë në kryetarin e bashkisë”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit pjesëmarrja në zgjedhjet vendore, e më shumë se 1.6 milion shqiptarëve, tregoi se Shqipëria jo vetëm që nuk është braktisur, por qytetarët kanë shpresë dhe besim për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend. Kryeministri e cilësoi këtë prirje të qartë të qytetarëve shqiptarë, për t’i dhënë një dimension konkret rrugës Evropianë të Shqipërisë.
“Jam këtu për të shprehur një kënaqësi të madhe shpirtërore shumë të veçantë, se në këto zgjedhje votuan mbi 1,6 milion shqiptarë dhe kjo përbën një kënaqësi të madhe të jetës sime, përbën qetësim të një brenge 20 vjeçare, e cila buronte nga fakti se Shqipëria rridhte dhe rridhte njerëzit e saj. jo pjesëmarrje dëshmon se Shqipëria nuk rrjedh më, se Shqipëria nuk po braktiset, se Shqipëria po mbushet dhe se njerëzit në këtë vend kanë shpresë dhe besim, janë të vendosur të ndërtojnë këtu të ardhmen që meritojnë”, tha kryeministri Berisha.
Në këto zgjedhje, kryeministri theksoi se mazhoranca aktuale mori më shumë vota se asnjëherë tjetër, që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit të 1992.
“Natyrisht, unë kam një mirënjohje të thellë dhe të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që votuan për mazhorancën aktuale, votuan më shumë se kurrë që nga ‘92 e deri më sot, duke i dhënë asaj një mbështetje që do ta konsideroja ndër më të mëdhatë, duke vendosur mbi të, në mënyrë të padiskutueshme, një barrë po kaq të madhe, po kaq të rëndë përgjegjësie para tyre, para të gjithë shqiptarëve, para dhe të gjithë atyre që votuan kundër saj”, tha Berisha.
Duke u ndalur te situata post-zgjedhore, Berisha akuzoi Ramën se ngriti teatrin absurd vetëm për karrigen e tij. “Prej dy javësh vendi i shëmbëllen një teatri absurd. Në qoftë se qytetarët votuan në 8 maj në mënyrën më të civilizuar, më europiane pas kësaj dite ndodhi rrethimi i KQZ-së, bllokime rrugësh dhe ultimatume dhe kërcënime. Të gjitha këto me një arsye të vetme sepse dikush kërkon me çdo kusht të mos respektojë votën e qytetarëve”, tha Berisha.
Ai i bëri thirrje kreut të PS-së Edi Rama, që të deklarojë publikisht se do mirëpresë verdiktin e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa shtoi se mazhoranca është e vendosur të mbrojë votën e qytetarëve me forcën e ligjit.
“E ftoj Ramën të deklaroj se pret verdiktin dhe të shfrytëzojë potenciale që ofron sistemi për të paraqitur të gjitha kërkesat, tu faktojë shqiptarëve se ku po i kryhet padrejtësia dhe jo të nxijë një proces që shpreh vullnetin demokratik të mbarë shqiptarëve. Unë e garantoj Ramën se jemi të përgatitur për çdo kërcënim apo ultimatum dhe asnjë skenar nuk do ta shkelmojë votën e shqiptarëve pasi jemi të vendosur ta mbrojmë votën me forcën e ligjit”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
Ai solli në vëmendje gjithashtu se Tirana ka një KZAZ, ka një komision zone, të cilin me kërkesën dhe insistimin e Ramës, këtë detyrë ia ka ngarkuar KQZ-së.
“Në ligjin shqiptar të miratuar bashkërisht me zotin Rama nuk është KQZ-ja ai që shpall fituesin. Neni 33 i kodit elektoral, pika ‘g’, autorizon për të shpallur kandidatin fitues vetëm KZAZ, pra vetëm komisionin zonal dhe jo KQZ. Ky është një teatër absurd, kërkojnë që të shkruajnë rezultatin nga zyrat e partive, por kjo nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë. Ultimatumi është i tillë ‘ose karrigen e kryetarit, ose përmbysjen si mazhorancë’ dhe këtë ultimatum ia bën një mazhorance, e cila vetëm dy javë më parë mori një mbështetje 17 për qind më shumë se koalicioni që ai udhëhoqi dhe që mbetet e hapur për bashkëpunim, për mirëkuptim, por që kurrë nuk mund të bëjë një pazar të tillë,sepse kjo do të ishte goditja më palcore që mund t’i jepej sistemit demokratik shqiptar”, tha Berisha, duke shtuar se, tani që fituam lirinë e votës, Edi Rama po përpiqet ta mohojë atë.
“Tani që e fituam, kërkohet të na mohohet, kërkohet të na shkelmohet, kërkohet të përçmohet, kërkohet të burgoset. Kjo nuk mund të ndodhë. Dua t’i bëj një pyetje, zotit Rama. Çfarë do të thoshin këta qytetarë, të cilët pritën me kënaqësi 8 majin dhe si qytetarë të përgjegjshëm të kësaj republike shkuan aty për të shprehur bindjet e tyre politike dhe për të parë bindjet e tyre politike të vlerësuar në votë, në qoftë se ne do t’ua hidhnim në kosh këtë vota. Ndodhi që Presidenti i Republikës votoi në një kuti të gabuar, por çfarë do të thoshin qytetarët shqiptarë, në qoftë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të hapte kutinë për të numëruar votën e tij. Ata do të thoshin se, kur këta nuk çajnë kokën për votën e Presidentit, çfarë na mbetet neve. Çfarë do të thoshte bota, kur do të shihte se këtu nuk numërohet vota e Presidentit? Këta janë bizarë, do të thoshte. A nuk do të krijohej një Dushk i dytë, për të cilën u bëmë të famshëm në të gjithë Europën? A nuk do të bëheshim të famshëm edhe për atë që quhet disenfranchise të votave të hedhura? Pra, ky është një proces. Cili mund të jetë qëndrimi tjetër, përveçse qëndrimi mbrapa çdo vote, konkludoi kryeministri, duke garantuar se në absolute nuk ka në këtë çështje përveçse një qëllimi të vetëm, çdo votë të numërohet”.