Në PS, me Edi Ramën ka mbërritur revolucioni kinez i Mao Ce Dunit

Në Kuvend dje u zyrtarizua mendimi ndryshe në opozitë, me rreshtimin e dy deputetëve; Kastriot Islamit dhe Andis Harasanit, në mbështetje të projektligjeve që propozohen nga ekspertët e Komisionit Evropian. Harasani bën thirrje që të pranohet rezultati i 8 majit, ndërkohë që Kastriot Islami kërkon shkëputjen nga kinezëritë që po sjell tek socialistët lidershipi i Edi Ramës
Kronika - Jo vetëm që kanë thyer vendimin e grupit socialist për të bojkotuar punimet parlamentare por dhe kanë votuar për projektet e sjella nga mazhoranca për t’u kaluar në parlament. Pas rreth dy vjetësh deputetët socialistë Kastriot Islami dhe Andis Harasani kanë marrë pjesë në debatin për projekte të sjella nga qeveria duke i dhënë edhe votën pro tyre.
Deputetët e opozitës të cilët kundërshtuan vendimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar punimet parlamentare kanë mbështetur projektin e sjellë nga qeveria për marrëveshjen me bankën islamike për zhvillim që do të ndërtojë rrugën Tiranë-Elbasan. Gjatë prezantimit të këtij projekti ministri i financave Ridvan Bode e ka cilësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend.
Nga ana tjetër Andis Harasani duke u shprehur pro projektit në parim kërkoi që të sqarohen të gjitha çështjet teknike që lidhen me këtë projektet apo edhe justifikimi i borxhit për këtë çështje.
Pas rreth dy vitesh deputetë të opozitës kanë rrëzuar qëndrimin bojkotues të votimit në parlament duke votuar për rrugën Tiranë-Elbasan.