Rama kritika BE-së: Kur ne të bëhemi anëtarë, Macron do jetë duke shkruar kujtimet

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Formunin Strategjik të BE-së në Bled të Sllovenisë, për integrimin e Ballkanit Perëndimor, u tregua sërish kritik me Bashkimin Evropian. Teksa kujtoi se ballkanasve nuk u duhet licencë për të qenë evropianë, pasi të tillë jemi, Rama tha se nëse “etërit e BE do të dëgjonin këto diskutime, do të rrotulloheshin në varr”.
“Ne jemi këtu për të luftuar. Ne nuk na duhet licencë që të jemi evropian. Ne jemi evropian. Çfarë do që të thonë njerëzit në BE, ne jemi evropian. Nuk ka asnjë të ardhme të Evropës pa Ballkanin Perëndimor brenda BE. Nëse BE do të vazhdojë kështu, natyrisht nuk do jetë mirë për ne, por do jetë me keq për BE. Sinqerisht, ju përmendet në fillesë, etërit themelues, por nëse do ngriheshin ata, do thonin më mirë të kishim vdekur se gjallë. Do ktheheshin përmbys në varr. Si puna e prifit në Kostandinopojë kur po shembeshin muret dhe diskutonin seksin e engjëjve. Më falni se po tregohem ballkanit. Kjo është gjë e mirë se nuk e humb sensing e humorit edhe brenda tragjedisë.
Do ta përmbyll me këtë, mos përmendi më aktorë të tretë, faktorë të tretë. Është qesharake. Nga njëra ana na thoni se na doni dhe se jeni të rëndëishëm për ne. Një ditë do të martohemi. Kjo kërkon të sprovojë karakterin e besnikërisë tonë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macroni që është më i riu do jetë duke shkruar kujtimet”, tha Rama.
Zoti Rama e nisi fjalën e tij me një batutë për euro-optimistin dhe euro-pesimistin ndërsa tha me bindje se nuk po kërkojnë licensë për të qenë europianë, pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor janë europianë.
“Më lini të përpiqem t’ju jap disa buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë sepse në Ballkan ka diçka që duhet ta ruajmë fort, ne mund të mund të buzëqeshim e të qeshim edhe kur vuajmë, gjë që pjestarët e BE nuk mund ta bëjnë. E kam fjalën për gjermanët. Dikush u afrua të takojë një euro optimist dhe europesimist dhe pyeti një eurooptimist se cila ishte pikëpamja e tij për zgjerimin. Ai tha, Turqia duhet të hyjë në BE nën presidencën e Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë. Europesimisti tha se të dyja do të hyjnë në BE kur presidencën ta ketë Turqia. Nuk e di kush është Vladimiri apo Ekstragoni, unë apo Zorani, por Shqipëria dhe Maqedonia janë si këto dy karaktere në dramën e Beketit. Njëra thotë “a do ikim?”, tjetri thotë “eja të ikim” dhe Beketi thotë se “askush nuk do të lëvizë”.
Kryeministri Rama ka shfrytëzuar Forumin Strategjik në Slloveni, për t’u përçuar një mesazh, në formën e një lutjeje. “Bullgar, ju lutem hapni rrugën!. Bëhuni më ballkanas dhe jo Evropian”, i tha Rama kryeministrit bullgar, të cilin e kishte në krah, ngjitur të ulur në karrige.
” Ju lutem ju bullgarët hapni rrugën. Çfarë po përpiqeni të shpëtoni?! Hapni rrugën bëhuni më shumë Ballkanik’, tha Rama.
Por apeli duket se nuk u prit mirë nga presidenti bullgar.
“E përmende emrin e vendit tim më në fund, e the haptas atë. Dhe mos u shqetëso. Që të jemi më konkret. Zgjerimi ka të bëjë me të ardhmen e Evropës. Le të flasim seriozisht. Përderisa po flasim për anëtarësimin, duhet të dimë se çfarë do të thotë kjo. Procedurat janë të një rëndësie themelore. Reforma në sundimin e ligjit, mirëqeverisja. Reformat në ekonomi dhe sistemet shoqërore. Sigurisht janë të domosdoshme, por janë edhe të drejtat e njeriut, marrëdhënia e fqinjësisë së mirë. Këto janë shtyllat mbi të cilat është themeluar BE. Po flasim për të ardhmen dhe duhet t’i kemi parasysh këto vlera. Më besoni, Bullgaria është shteti më pro procesit të zgjerimit. Duhet të jetë një anëtarësim i pakthyeshëm. Duhet të sigurohemi që të rinjtë tanë do të takohen tërësisht të lirë, pa paragjykime, pa fjalë urrejtjeje. Dhe ky ishte shqetësimi im. Të mos harrojmë, kur Ballkani Perëndimor doli nga radari i BE, ishte Bullgaria që e solli vëmendjen e BE. Ne këmbëngulim dhe jemi tërësisht të hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut”, tha Radev.
Radev siguron se Bullgaria nuk është roja që nuk i lejon për të hyrë në BE prandaj mbetet e hapur dhe çelësi është në dorë të vendeve pretendente.
Sipas Presidentit bullgar, ka dy rrugë për të arritur qëllimin, ose turneu i këtyre vendeve në vendet anëtare dhe institucioneve të BE për të bindur Bullgarinë, ose të ulen në dialog me vetë Bullgarinë.
”Duke folur për procesin e anëtarësimit, duhet të ndajmë diçka mes përgjegjësive të BE dhe përgjegjësive tona dypalëshe ballkanike. Bullgaria nuk është roja që nuk ju lë te reja, por partneri juaj. Ka dy rrugë, rruga më e gjatë është të bëhet turne në të gjitha kryeqytetet europiane për të bindur partnerët e aleatët për të bindur Bullgarinë. Ka dhe një rrugë tjetër, shumë e shkurtër e fitimtare. Ne jemi të hapur, jemi gati, ju ftojmë në dialog. Po çelësi është në dorën t uaj, varet prej jush, meritat tuaja. Themeli në vetvete mbështetet në vlerat europiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Besoj do të vazhdojmë dialogun.‘’– tha Radev.