Presidenti Meta dekreton 10 shtatorin si datë të mbledhjes së parë të kuvendit të ri

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar datën 10 shtator si ditën kur do të mbahet mbledhja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.
“Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit.
Në dekretin e kreut të shtetit njoftohet se legjislaturës aktuale të Kuvendit i përfundon mandati në datën 09.09.2021.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator.