Rama, ky destruktiv i pandreqshëm

Njeriu i dashuruar me dhunën e 21 janarit, u shfaq dje në media, nëpërmjet kurban-editorialit të tij, si producenti i vërtetë i trazirave që tentuan grushtin e shtetit, dhe si i pandreqshmi që mendon se mund të vihet në pushtet, vetëm nëpërmjet nekropolitikës. Në përpjekje për të mbajtur gjallë një situatë konfliktuale antievropiane, ai po tenton të riaktivizojë Lëvizjen e Bllokimit të Statusit të Kandidatit për Shqipërinë
Edi Rama ju rikthye dje të bërit opozitë virtuale nëpërmjet një prej dy mënyrave të tij..., asaj të të bërit opozitë me editoriale. Mënyra tjetër është padyshim edhe opozita virtuale nëpërmjet cicërimave në “Twitter”.
Rikthimi i djeshëm i Edi Ramës nuk ishte thjesht dhe vetëm një tendencë për ti bërë reklamë një media të re të shkruar, e cila kishte botuar një intervistë të një ambasadori të huaj në Shqipëri. Megjithëse ajo media ka nevojë për reklamë, sepse themeluesit e saj kanë dështuar në çel e mbyll të mediave të tilla të ngjashme, Edi Rama tamam-tamam nuk doli vetëm për promovimin e saj.
Ai (Edi Rama) doli edhe për të na kujtuar dashurinë e tij për nekropolitikën, pse jo edhe atë që tashmë është bërë “traditë” për atë vetë..., ribllokimin e nismave që na mundësojnë integrimin në BE.
Për këtë dje, Edi Rama në editorialin e tij i rikthehej teorisë së tij të radikalizmit nën pretekstin, “se është koha për të ndryshuar radikalisht politikën shqiptare”.
I gjori, dhe shterpi në ide e vizione...!
... Vetëngacmohet dhe vetëkënaqet deri në vetëeksitim, duke parë ëndrra se politika shqiptare mund të ndryshohet “radikalisht”, a thua se politika shqiptare është PS-ja, ku ai përjashton radikalisht Kastriot Islamin, dhe shpërblen “ish-të pavarurin” Theodhori Sollaku..., duke i dërguar me këtë rast, mesazh edhe “të pavarurës” Ina Rama, se edhe ajo me shërbimet e tipit të pararendësit të saj mos të tutet se mund ta ketë një vend nesër..., në PS.
Shërbimi më i fundit, për të cilin Edi Rama ka më shumë nevojë për keqpërdorimin e Ina Ramës, është “21 janari”.
Ky njeri (Edi Rama), nuk mund të bëjë ndryshe.
I dashuruar me dhunën e 21 janarit, producenti i vërtetë i trazirave që tentuan grushtin e shtetit, u rikthye nga SHBA me përpjekjet për të mbajtur gjallë situatën konfliktuale..., duke u kapur këtë herë, pas 1-vjetorit të 21 janarit të vitit 2011.
E ka bërë më parë këtë edhe me Kosta Trebickën edhe me Gërdecin. Nuk linte të treta, të shtata, të dyzeta..., e përvjetorë pa “kremtuar”..., të paktën deri në 29 qershor 2009. Pas kësaj date keqpërdorimi i Ina Ramës nuk i bënte më punë, ndaj edhe Edi Rama nuk i ka “kremtuar” më këto “ngjarje”...
Por kjo nuk do të thotë që të mos i rikthehet “ngjarjes-simotër” të 21 janarit..., por duke harruar me dashje se, para se të arrinte 21 janari 2011, kalendari kishte datat të tjera, një dy, tre ditë para, apo edhe dy javë para. Për ata që kanë harruar, ishte një video-përgjim, i pretenduar nga Dritan Prifti, e cila bëri të legjitimojë frazën e urtë popullore “hedh një gurë budallai në lumë dhe shkojnë (për lumë) gjithë të zgjuarit për ta nxjerrë”.
E pra, Edi Rama që e ka harruar me dashje “kauzën” për të cilën nxori “të zgjuarit” në shesh në 21 janar 2011, nuk ka arsye pse të hiqte dorë, në 22, 23, 24..., janar, shkurt..., qershor..., shtator..., nëntor, dhjetor 2011, apo edhe tani në janarin e vitit 2012, nga ajo “kauzë”. Kjo do të thotë se “kauza” nuk ka ekzistuar dhe në këtë mosekzistencë Edi Rama në rolin e një drejtuesi të mundshëm (dhe me shumë gjasa) të një agjencie funerale, në kushtet kur edhe Prokurorinë “e ka kapur prej veshësh”, përveçse do të tentojë ribllokimin e nismave integruese në Europë..., do të vazhdojë të prodhojë nekropolitikë..., deri në fundqershorin e vitit 2013...
Pas këtij afati, ai ndërsa do të hipotekojë humbjen e radhës të zgjedhjeve të radhës, do e harrojë edhe 21 janarin, por jo shërbimin e “të pavarurës” Ina Rama, e cila ka marrë paralajmërimin edhe nga “ish-i pavaruri” Theodhori Sollaku, se e pret një karrierë “e shkëlqyer” në PS.