Rama, letër Ina Ramës: Më heto mua, Berishën dhe Bashën

Kreu i PS, Edi Rama
Kreu i PS i kërkon prokurores së Përgjithshme ta thërrasë për 21 janarin
Niveli politik i hetimit të mos ulet në tre deputetë opozitarë
Kreu socialist i kërkon prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që ta përfshijë edhe atë në hetimin për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Sipas Edi Ramës, tre deputetët e marrë në hetim nga ana e Prokurorisë nuk kanë bërë asgjë më shumë se ai vetë, i cili ka qenë koordinatori i të gjitha përgatitjeve të demonstratës së një viti më parë. Përveç pyetjes për arsyet e mospërfshirjes së tij në hetim, Rama e pyet kryeprokuroren se përse nuk janë përfshirë në këtë hetim edhe Kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, sipas tij, si dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës e si përgjegjës të drejtpërdrejtë për funksionimin e asaj garde. Kreu i PS-së e cilëson të pakuptueshëm hetimin në nivelin politik të 21 janarit te vetëm tre deputetët opozitarë dhe shprehet se pret të ketë dhe politikanë të tjerë në hetim ditët në vazhdim. Kryesocialisti siguron, si edhe një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, mbështetjen pa asnjë ekuivok nga opozita të hetimit dhe të prokurores së Përgjithshme.
Drejtuar: Znj. Ina Rama
Prokurore e Përgjithshme e Shqipërisë.
E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme e Republikës,
Lejomëni tJu drejtohem publikisht në këtë moment kaq përcaktues për fatin e demokracisë shqiptare, ku roli i organit të akuzës është vendimtar dhe hetimi i plotë e i paanshëm i tragjedisë së 21 janarit domosdoshmëri mirëfilli historike.
Ju përgëzoj fillimisht edhe drejtpërsëdrejti për hapat e rëndësishëm që janë hedhur së fundi në drejtim të zbardhjes së vrasjeve dhe për bashkëpunimin e suksesshëm me FBI-në, falë mbështetjes së paçmuar të qeverisë së Shteteve të Bashkuara e të ambasadorit Arvizu.
Mbështetja e posaçme e partnerit të madh strategjik të Shqipërisë e të shqiptarëve nuk përbën vetëm një garanci më shumë për hetimin e 21 janarit. Ajo përbën edhe një detyrim më shumë të institucioneve të drejtësisë e të vetë politikës shqiptare për ta merituar këtë mbështetje kaq të vyer, duke përmbushur standardet e një drejtësie të denjë për vizionin e për vlerat që partneri ynë i pazëvendësueshëm mishëron si simbol i përbotshëm demokracie dhe me plot të drejtë kërkon prej të gjithëve ne në funksion të një Shqipërie demokratike.
Nga ana e Partisë Socialiste dhe forcave të Opozitës së Bashkuar, unë Ju garantoj gjithashtu për mbështetjen tonë pa kushte në këtë hetim, për suksesin e plotë të të cilit kemi qenë dhe jemi tërësisht në dispozicion të organit të akuzës.
Kërkesën Tuaj për përfshirjen në hetim të tre deputetëve socialistë e kemi pranuar pa asnjë ngurrim dhe Ju siguroj se do të japim votën tonë në Parlament që imuniteti i tyre të mos përbëjë pengesë për ekzigjencat e një hetimi shterues e të paanshëm. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe nëse nevojat e hetimit do të kërkojnë përfshirje deputetësh të tjerë të Partisë Socialiste. Por, në këtë pikë e shoh të udhës tJu bëj publikisht një pyetje dhe një shpjegim nga këndvështrimi im si kryetar i Partisë Socialiste e në këtë rast edhe organizator i demonstratës së 21 janarit.
Pse, zonja Prokurore e Përgjithshme, nuk jam thirrur ende unë vetë, pikërisht në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste e të opozitës dhe, për rrjedhojë, edhe të koordinatorit të të gjitha përgatitjeve të asaj demonstrate, për organizimin e së cilës të tre deputetët e kërkuar prej Jush nuk kanë bërë as më shumë e as më pak se të gjithë kolegët e tyre e, pa dyshim, asgjë më shumë se sa unë personalisht?
Jam i bindur se dëshmia ime do të vlente për hetimin Tuaj jo më pak se dëshmitë e tyre. Prandaj pres me padurim që të thirrem për të kontribuar me gjithçka di për këtë hetim kaq të rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri, e për vetë Shqipërinë në rrugën e mundimshme të ndërtimit të shtetit të së drejtës.
Dua të besoj se Ju do ta çmoni seriozisht këtë shprehje vullneti nga ana ime për ta ndihmuar hetimin dhe nuk do të ngurroni të më rendisni edhe mua në radhën e të hetuarve. Skam asnjë imunitet dhe, mbi të gjitha, asnjë dallim nga të tre deputetët në fjalë apo nga cilido tjetër që, njësoj si ata, ka qenë pjesë e organizimit të demonstratës së 21 janarit.
Më anë tjetër, vjen natyrshëm edhe një pyetje e pandarë nga e para, të cilën dua tJua bëj po publikisht.
Cila është pse-ja e mospërfshirjes në hetim të Kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, si dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës e si përgjegjës të drejtpërdrejtë për funksionimin e asaj Garde që më 21 janar vrau njerëz të pafajshëm?
E pamundur të kuptohet nga ana jonë, por me sa kam vënë re edhe nga ana e opinionit të shqetësuar publik, mbetja e hetimit në nivelin politik te vetëm tre deputetët opozitarë. Me gjithë gatishmërinë e tyre të plotë, ata smund ta përmbushin dot assesi nevojën e një hetimi shterues të të gjithë nivelit politik, që as mund të ndahet nga hetimi e as mund të hetohet pjesërisht.
Pranoni paraprakisht ndjesën time nëse kjo kërkesë e Prokurorisë për imunitetin e vetëm tre deputetëve opozitarë nuk është fundi, por vetëm fillimi i hetimit mbi rolin e palëve e të aktorëve politikë për gjithë sa ndodhi më 21 janar në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Më tutje akoma, zonja Prokurore e Përgjithshme, ju me siguri jeni në dijeni të dëshmisë rrëqethëse, publike të vëllait të njërit prej të vrarëve, të ndjerit Hekuran Deda, i cili ka denoncuar publikisht Kryeministrin Sali Berisha për një ofertë tronditëse në adresë të familjes Deda. Besoj se edhe kjo dëshmi e bën të domosdoshme marrjen në pyetje të Sali Berishës, bashkë me dorëzanin e tij që ka premtuar te familja Deda në emër të Sali Berishës jo vetëm para, por dhe fotografinë e vrasësit të Hekuranit në këmbim të favorit të mikpritjes në shtëpi të kryetarit të qeverisë.
Shqipëria meriton të dijë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç së vërtetës. Të njëjtën gjë meritojnë pa dyshim edhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Sepse, në opinionin tim modest, e vërteta e plotë e 21 janarit nuk është thjesht e vërteta e një ngjarjeje tragjike, por një gur themeli në procesin e demokratizimit të vendit tonë e të garantimit të barazisë para ligjit për vitet e ndoshta dekadat që vijnë.
Jam plotësisht i vetëdijshëm për barrën Tuaj shumë të rëndë në kushtet kur rendi ligjor në Shqipëri është thellësisht i komprometuar dhe hetimi seriozisht i penguar nga dëmtimi i qëllimshëm i provave, ashtu siç jam i vetëdijshëm edhe për të gjitha ngarkesat e pamerituara që ka vënë mbi supet e organit të akuzës politika e përbaltjes së pakursimtë të institucionit të Prokurorisë e të vetë autoritetit Tuaj kushtetues, përveçse dinjitetit Tuaj njerëzor. Të tilla pengesa të pashembullta e ngarkesa të jashtëzakonshme ska dyshim se nuk e lehtësojnë kryerjen e detyrës nga ana e Prokurorisë dhe Juaja personalisht. Por misioni i lartë që keni ndaj popullit shqiptar përmes Kushtetutës së tij e bën praktikisht të pamundur në këtë rast uljen e nivelit të hetimit përsa u takon palëve e aktorëve politikë. Ata duhet të hetohen që të gjithë, pa dallim e pa anshmëri, pavarësisht fuqisë aspak të vogël propagandistike dhe jo vetëm propagandistike që njëra palë, fatkeqësisht ajo në pushtet, i kundërvë prej një viti këtij procesi kaq të rëndësishëm hetimor duke sulmuar egërsisht Prokurorinë e Ju personalisht.
Duke Ju siguruar edhe njëherë për mbështetjen pa asnjë ekuivok që opozita shqiptare dhe