Kuvend, debate për hetimet e 21 janarit
Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës në lidhje me hetimet për ngjarjet e 21 janarit.
Deputeti socialist Sajmir Tahiri akuzoi kryeministrin se po kërkon të çmontojë institucionet për të mohuar vrasjet e 21 janarit. “Dje Berisha ka deklaruar se 21 janari nuk do hetohet nga drejtuesi aktual. Për mua nuk ka rëndësi se kush do hetojë, por skenari për të çmontuar institucionet e vendit për të bërë një hetim kryeministror. Sot në rrezik më shumë se njeriu është demokracia, institucionet, parlamentarizmi” ka theksuar Tahiri,
Ndërsa Deputeti demokrat Edi Paloka sulmoi kryeprokuroren Ina Rama se po bashkëpunon me kreun e PS-së në hetimet për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. “Një vit më parë Ina Rama nuk bëri asnjë kërkesë për organizatorët, sot pas një viti na vjen me këto kërkesa. Pse u desht 1 vit për të përcaktuar listën se kush do të hetojë nga garda e opozita. Ta sqarojë Ina Rama, pasi ngjarja e 21 janarit është e qartë për të gjithë ata që kanë pasur një televizor. Të gjithë e panë. E vetmja që knuk pa e nuk dëgjoi është Ina Rama” ka thesuar Paloka.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duke replikuar me deputetin socialist Erjon Braçe theksoi se të gjithë planifikuesit e demonstratës së 21 janarit do të dalin përpara drejtësisë. "21 janari është realizuar duke përdorur të gjitha mjetet. Keni mbajtur të rrethuar për 5 orë kryeministrinë. Planifikuesit dhe organziuesit do të përgjigjen para ligjit dhe i pari do të jetë Edi Rama” ka theksuar Topalli.