E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: ‘Une do te jem jo kryeministri juaj, por kryesherbetori juaj!

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli këto momente në një deklaratë për mediat që i parapriu ovacioneve për minuta të tëra nga mbështetësit e tij në selinë e partisë.

Z.Rama tha se falënderonte Berishën “për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh sesa unë sot dhe i uroj gjithë të mirat”.

Fjala e plot e z.Rama:

“Sot ju populli i Shqipërisë vendosët të ma ngarkoni mua dhe skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, së bashku me partnerët tanë strategjikë të LSI dhe me aleatët e tjerë, këtë përgjegjësi kaq të madhe”, – tha z.Rama.

Më tej ai shtoi: “Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj çdonjërit prej jush. Dhe për çdo ditë nga sot e tutje ne do të jemi me ju dhe për ju deri kur kjo përgjegjësi madhore të jetë e jona”, – theksoi z.Rama.

“Unë e di se siç thotë Abraham Limnkolni i madh, asnjë qeveri në botë nuk mund t’i kënaqë të gjithë, por nuk do të harroj kurrë se na vutë në krye të vendit”, – shtoi kreu socialist nën ovacione.

“Ju na besuat se ne nxorëm më të mirën nga vetja për të arritur këtu. Një projekt ndryshimi, një skuadër të gatshme për Rilindjen, një aleancë të re e cila prodhoi atë se ne dimë ta vëmë veten mbi partitë”, – tha z.Rama.

“Unë e dua këtë vend ndaj luftova kaq shumë për të fituar. Zemra ime e di sa shumë mundësi ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme, tani duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e shpirtit dhe e mendjes shqiptare për ta bërë këtë vend siç na u dha për të udhëhequr Shqipërinë”, – vazhdoi z.Rama.

“Ne do të udhëheqim, por as unë dhe as ne të zgjedhurit për të drejtuar së bashku, nuk mund ta sjellim vetëm rilindjen që ne duam, ndaj duam që njerëzit e këtij vendi të bëhen pjesë e skuadrës së Rilindjes”, – vijoi deklaratën e tij kreu socialist.

“T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat e përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes konkurrencës dhe taksimit të ndershëm, një shoqëri me arsim sipas nevojës, shëndetësi sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, modelit të bashkëjetesës pavarësisht ndasive partiake dhe krahinore”, – theksoi z.Rama.

“Pa harruar asnjë çast, – vazhdoi ai, – se sot populli sovran e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt të gjithë hartën e Shqipërisë, që nga Shkodra deri në Vlorë, për të na dhënë mundësinë historike për të realizuar me vepra projektin tonë”, – vijoi z.Rama.

“Të nisim bashkërisht punën, për t’i treguar njëri-tjetrit por edhe botës rreth nesh, se mund të ngjitemi në lartësinë e detyrës”, vazhdoi deklaratën e tij kryetari socialist.

Kurse duke ndërprerë ovacionet që vazhdonin nga mbështetësit në selinë e PS, shtoi: “Të vazhdojmë së bashku përpjekjet për vendin që na takon në Europë, kur si asnjëherë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e kanë të afërt realizimin e ëndrrës evropiane”.

“Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë. Tani së bashku duhet ta bëjmë realitet. Pa harruar se duhet të jetë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi i pakicës, shpirti i kompromisit, jo tradita e vetëpëlqimit”, – tha z.Rama.

“Nuk ka pikë dyshimi se duke parë flamujt e fitores nga Durrësi në Gjirokastër, edhe unë ndjehem thellësisht i ngazëlluar si të gjithë ju. Por ky gëzim i merituar nuk do të krijojë dot vende pune për të rinjtë nesër, kjo fitore nuk është mbërritja por vetëm nisja. Kjo fitore është era e ndryshimit që frun lirisht në gjithë vendin, por tani nis puna e madhe për ta bërë ndryshimin të mbërrijë në familjet e të gjithë Shqipërisë së rrënuar”, – vazhdoi deklaratën e tij kryetrari i PS.

E ky ndryshim që të gjithaq duam, – tha z.Rama, – nuk do të vijë brenda natës, nuk do të vijë aq kollaj sepse asgjë e mirë nuk vjen kollaj, duhet të punosh e sakrifikosh fort për ta arritur”.

Më tej ai tha” Tani të gjithë bashkë duhet të punojmë fort dhe ne do të punojmë fort si një skuadër e madhe që sot ka fituar të drejtën për t’u vënë në provë”, – tha kreu socialist.

“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejë politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si ajo e jona, ku pushteti i popullit degradon në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Por sonte unë dua ta falënderoj atë për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh sesa unë sot dhe i uroj gjithë të mirat”, – tha z.Rama.

Ai shtoi: “Tani që zgjedhjet përfunduan dua ta them shumë qartë se vullneti im është t’u shërbej të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për mua. Votën plebishitare që morëm nuk e konsideroj si triumf të palës sonë e aq më pak si triumf personal. Përkundrazi, jam më realist për sfidën marramendëse që duhet të bëjmë përmes qeverisjes sonë. Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq, asnjë rrogëtar që i ka shërbyer me meritën e tij, asnjë burim mediatik që i ka shërbyer palës tjetër të mos ndjehet i rrezikuar. Të gjithëve do t’u provojmë se ndryshimi nuk ka ardhur për t’u bërë keq askujt që nuk ka bërë keq”, – theksoi z.Rama.

Më tej ai tha: “Unë do të jem nesër kryeministri juaj por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë imja, pushteti do të jetë juaji. Unë nuk do ta harroj këtë por ju lutem mos e harroni as ju”/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›