Rama mbledh drejtuesit politikë, diskutohen përgatitjet për kongresin dhe anëtarësimet e reja

Për thuajse dy orë kryesocialisti Edi Rama mbajti në një mbledhje 12 drejtuesit politik të qarqeve.
Turi i takimeve me socialistët në diasporë, zgjerimi i partisë me anëtarë të rinj dhe zgjedhja e delegatëve të rinj të kongresit ishin disa nga çështjet në disktutim të cilat prijnë kongresin e Partisë Socialiste në qershor.
Të dielën e ardhshme Edi Rama do të jetë në Athinë ku është parashikuar një takim me mbështetës të Partisë Socialiste atje. Dje gazeta greke “Kathemirini” shkruante se kryeministrit Edi Rama i është kërkuar që takimin ta shtyjë pas 9 qershorit të zhvillimit të zgjedhjeve për deputetët e rinj të parlamentit evropian.
Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se deri më tani nga agjenda në diasporë e kryesocialistit Edi Rama nuk ka asnjë ndryshim.
Ajo është parashikuar të zhvillohet në 12 maj, një datë që përkon dhe me arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, që është edhe kandidati për eurodeputet i “Demokracia e Re”, partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Para se Edi Rama të takohet me shqiptarët socialistë që jetojnë në Greqi e më pas në Itali, Britani e Madhe, Gjermani, anëtarët socialistë në të gjithë vendin do të thirren në votim për të zgjedhur delegatët e rinj të PS.
Deri në qershorin e kongresit por edhe me themelimin e partisë, nga drejtuesit politik është kërkuar që anëtarësia të rritet në total me 50 mijë.
Edhe këtë herë Edi Rama nuk foli për mediat. Jashtë nuk e prisnin vetëm gazetarët për të marrë një qëndrim të kryeministrit pas thirrjes në SPAK të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj që ishte në mbledhje, por edhe disa minatorë që i kërkojnë qeverisë së tij tu njohë statusin e minatorit. /vizionplus.tv