“Amnistia fali të korruptuarit”, Basha akuzon qeverinë dhe Rithemelimin: Atentat Reformës në Drejtësi

Lulzim Basha, i cili mban zyrtarisht logon e Partisë Demokratike, akuzoi Partinë Socialiste dhe shumicën e deputetëve të opozitës se me votën pro amnistisë penale liruan nga burgu zyrtarët e dënuar për korrupsion. Gjatë një konference për gazetarët, Basha e cilësoi amnistinë penale si një goditje ndaj reformës në drejtësi dhe rezultateve të saj.
“Amnistia penale u përdor politikisht për të liruar zyrtarë të korruptuar dhe për t’i çuar një mesazh të tjerëve që janë në qeli. Ndaj them është atentat ndaj reformës në drejtësi. Nuk është bërë me armë dhe tritol, por me një akt pol. Ky është korrupsioni më i lartë politik”, tha Basha.
Basha akuzoi veçanërisht ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja në lidhje me amnistinë penale dhe faljen sipas Bashës të zyrtarëve të dënuar për korrupsion.
“Shembulli klasik u zhvillua pak çaste më parë kur autori i amnistisë të korruptuarve të dënuar nga SPAK, Ulsi Manja, shkon dhe u jep leksion prokurorëve të SPAK-ut se si duhet të luftojmë korrupsionin. Kjo tregon që kjo qeveri ka rënë jo vetëm moralisht, por edhe psiqikisht”, tha Basha.
110 deputetë të mazhorancës dhe opozitës miratuan pak javë më parë amnistinë penale si rezultat i së cilës përfituan edhe qytetarë që janë dënuar nga gjykata e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por deri më tani nuk ka të dhëna nëse nga falja kanë përfituar edhe zyrtarë të nivelit të lartë.
Pikërisht për përfituesit e amnistisë Basha ka thirrur në interpelancë ministrin e Drejtësisë Manja të enjten e ardhshme.