E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama mbledh kryesinë e PS, ndryshime në drejtimin e qarqeve, Pirro Vengu mbështet Bledi Çuçin në Vlorë

Për afro dy orë, në selinë rozë, Partia Socialiste mblodhi kryesinë e saj.

Mbledhja erdhi  në një moment të rëndësishëm ku kryesocialisti Edi Rama zyrtarizoi Blendi Klosin si drejtuesin e ri politik të qarkut Dibër, pasi pak ditë më parë Blendi Gonxhe u zhvendos nga Dibra në Kombinat, për t’iu bashkuar skuadrës së Erion Veliaj, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut.

Vizion Plus mësoi se në përforcim të skuadrës drejtuese politike, Bledi Çuçi në Vlorë do të mbështet nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.

Gjatë mbledhjes u zhvilluan diskutime të rëndësishme sa i takon përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kreu i Partisë Socialiste u dha porosi strukturave vendore për votën e diasporës, ku pritet të krijohet një regjistër i posaçëm ku të identifikohen votuesit shqiptarë në diasporë.

Në përfundim të mbledhjes Rama nuk komunikoi me mediat, ndërsa kishte një kërkesë për gazetarët

Pak ditë më parë Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 11 maji, 2025, për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›