E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama me fermerët: Anëtarësimi në BE duhet t’ju gjejë me standardet e duhura të cilësisë

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së projekteve dhe standardeve të cilësisë për t’iu përgjigjur kërkesave të Bashkimit Europian.

“Bashkimi Europian vjen si një bekim për të gjithë ata që janë të përgatitur, por vjen edhe si një mallkim për ata që nuk janë gati”, tha Rama.

“Kërkesa për standardet e sigurisë, kërkesa për cilësi, jo thjesht bëhet e pranishme në çdo hap, por shoqërohet me instrumente kontrolli shumë të rreptë që faktikisht të nxjerrin nga tregu”, shtoi Rama.

Ai shtoi se katër vitet e ardhshme janë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe për të hedhur hapa të tjerë përpara.

“Katër vjet janë të mjaftueshme për t’u përgatitur për atë ditë që ajo ditë t’ju gjejë gati. T’ju gjejë gati për të hedhur hapa të tjerë përpara, jo për t’u përballur me një furtunë që t’ju rrëzojë në tokë pasi nuk i përgjigjeni me standardet e duhura të cilësisë”, iu drejtua Rama fermerëve.

Kreu i qeverisë ftoi të gjithë fermerët që të jenë akoma më aktivë në kërkimin e më shumë mbështetjeje financiare.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të instrumenteve financiare ekzistuese, duke përmendur buxhetin e shtetit, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë, agrokreditin dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit.

“Mirëpo përsëri ndodhemi dhe nuk duhet të ndodhemi ende për një kohë të gjatë në atë situatën që nuk është më problemi tek paraja, është problemi tek projektet. Nuk është më problemi tek aftësia mbuluese me fonde e projekteve, por është problemi tek mungesa e projekteve. Nuk është më problemi tek vullneti dhe tek fuqia e qeverisë për të mbështetur rritjen e sipërmarrjes në bujqësi, por është problemi tek mungesa e një sipërmarrjeje aktive në kërkim të fondeve me projektet e duhura dhe me formulat e duhura”, tha Rama.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe universitetet.

“Bashkërisht qeveria, Ministria e Bujqësisë dhe ju duhet t’i vendosim bashkitë në një presion pozitiv”, iu drejtua Rama fermerëve.

“Bashkitë duhet të jenë aty tek toka, me ata që punojnë tokën dhe që kanë nevojë për mbështetje, për të nxjerrë më shumë prej tokës për familjet e tyre dhe për ekonominë kombëtare”, tha Rama.

Në buxhetin 2026 parashikohen 16,3 miliardë lekë mbështetje të shtuar për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agropërpunimin dhe agroturizmin, për pensionin rural dhe për trajnimin e fermerëve në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›