Rama me kandidatët në Durrës: BE, çështje jetike për Shqipërinë. Çdo lëkundje prish ritmin e negociatave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste (PS) për qarkun e Durrësit, ku u shpreh për rëndësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE). Rama theksoi se anëtarësimi në BE është një çështje jetike për Shqipërinë, pasi, sipas tij, vetëm duke u bërë pjesë e BE mund të shpëtojmë nga “kurthi i vazhdueshëm i historisë” dhe të sigurojmë garantimin e disa të drejtave themelore, si liria individuale dhe barazia para ligjit.
“BE për ne është një çështje jetike, sepse vetëm duke u bërë pjesë e BE ne si popull do të shpëtojmë nga kurthi i vazhdueshëm i historisë dhe nga hijet që na ndjekin nga mbrapa të historisë sonë për të na kthyer mbrapa. Vetëm duke u futur në BE do garantojmë disa gjëra shumë bazike që si kemi ende të garantuara për sa kohë mbeten çështje se kush qeveris këtu. Që nga liria individuale, tek barazia para ligjit që është gjëja më e rëndësishme dhe mund të garantohet vetëm duke u futur ne BE”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Kryeministri nënvizoi se fokusi i fushatës së PS-së është jo vetëm mbështetja për partinë, por edhe për avancimin e procesit të integrimit evropian. Ai u shpreh se vendi është në një moment të ngjashëm me atë të Partisë Demokratike në vitin 1992, duke thënë se “koha e duhur dhe vendi i duhur janë për PS-në” dhe se ky është momenti për të avancuar me ritmin e negociatave.
“Sot jemi siç ishte PD në 1992, koha e duhur, vendi i duhur, po e njëjta situatë, PS-ja ndodhet në kohën dhe vendin e duhur, nuk lëviz dot kjo që të futet një tjetër”, shtoi Rama.
Përsa i përket reformës në drejtësi, Rama e vuri theksin te nevoja për vazhdimin e saj, pavarësisht vështirësive dhe problematikave që mund të shfaqen.
“Ne jemi për reformën në drejtësi, pavarësisht problematikave dhe lajthitjeve të herëpashershme, por ne e kemi të ndarë këtë punë që ia kemi dhënë këtë shpatën që në histori e ka pas drejtësia, por në Shqipëri për dekada e ka pasur qeveria. Ne nga ana tjetër e kemi vendosur fokusin e fushatës këtu jo vetëm për mbështetje për PS-në, por edhe për futjen në BE, që ata ta lexojnë shumë qartë se çfarë ndodh këtu. Ata patjetër ndjekin se çfarë ndodh këtu, nuk shprehen për procesin politik, por ndjekin se çfarë bëhet, si punohet, nuk kemi kohë të sorrollatemi, pavarësisht se me kë jemi, apo hidhe këtu dhe aty votën”, u shpreh ai.
Në fund, Kryeministri theksoi se ka shumë rëndësi që vota e popullit të shprehet fuqishëm për të garantuar një ritëm të qëndrueshëm në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke paralajmëruar se çdo lëkundje mund të dëmtojë këtë proces.
“Ka shumë rëndësi nëse shprehet vullneti i popullit me votën e vetë, por ama ne marrim një votë të fortë nga shqiptarët për t’i thënë atyre se ja si votuan shqiptarët. Po një lëkundje na prish shumë punë, na prish punë për ritmin e negociatave”, tha Rama.
/rtsh.al/