E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ristani: Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës

Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka sqaruar përmes një deklarate për mediat se nuk ka asnjë krizë funksionale në këtë institucion. Deklarata e Ristanit vjen pasi mori ridelegimin e detyrës nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Sikurse sqaroi edhe Veliaj një ditë më parë, edhe Ristani theksoi se kryebashkiaku i Tiranës e mori vendimin për t’ia deleguar kompetencat Sara Goxhajt në kushtet e një informacioni të cunguar, për shkak se ndodhet në burg. Ajo theksoi se pavarësisht lëvizjeve që mund të kryhen në institucionin që drejton, aty puna vijon normalisht.

“Kryetari i zgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë disa vendime në kushte të informacionit të cunguar dhe izolimit ku ai ndodhet. Këto vendime kanë krijuar një keqkuptim dhe kanë sjellë një konfuzion të panevojshëm. Nuk ka asnjë krizë institucionale në bashkinë e Tiranës. Puna vijon me të njëjtin përkushtim dhe vizion. Kam qenë pjesë e bashkisë së Tiranës për më shumë se 10 vite, kam punuar çdo ditë krah Veliajt, për ne Bashkia e Tiranës ka qenë më shumë se punë, ka qenë një mision i përbashkët dhe nuk ka masë sigurie që të zbehë respektin që kemi për njëri-tjetrin”, tha Ristani.

Ditën e djeshme (20 mars), Veliaj ia hoqi kompetencat që i kishte kaluar Ristanit, për t’ia deleguar ato Sara Goxhajt. Megjithatë, me një njoftim të mëvonshëm, Veliaj sqaroi se gjithçka ishte një keqkuptim, prej mungesës së informacionet, ndërsa ia delegoi sërish kompetencat Ristanit.

Bëhet me dije se, pas rimarrjes së detyrës, me vendim të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, Anuela Ristani ka firmosur shkarkimin e nënkryetares Sara Goxhaj dhe sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi. Në vend të Dokushit me urdhër të Ristanit është komanduar si Sekretare e Përgjithshme e Bashkisë së Tiranës, Jonida Halili. Kjo e fundit mbante detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›