E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama me shqiptarët në New Jork: Regjistri kombëtar i diasporës, dritarja e investimit në Shqipëri

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island (Nju-Jork), ku foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe diasporës shqiptare, si dhe për ndryshimin e rolit të diasporës në zhvillimin e vendit.

Rama vuri në dukje praninë e fortë shqiptare në Staten Island, duke e cilësuar zonën si një vend ku ndërthuren emra të rëndësishëm të historisë shqiptare dhe amerikane.

“Më vjen shumë mirë që jemi këtu sot për të ndarë disa gjëra që kanë ndodhur këto vite, që nga pikërisht këtu, në Staten Island, në vitin 2015, unë isha në një darkë shqiptarësh, i ftuar së bashku me Hashim Thaçin. Dhe në atë darkë u diskutua për herë të parë ideja e atij që një vit më pas u bë Samiti i Parë i Diasporës në Tiranë, ku ishim së bashku me Hashim Thaçin”, tha ai.

“Dhjetë vjet prej atij samiti, besoj se kanë ndodhur plot gjëra pozitive dhe lidhja e Shqipërisë me diasporën dhe e diasporës me Shqipërinë, e cila deri asokohe ndihej vetëm në dërgesat që të gjithë emigrantët shqiptarë çonin në Shqipëri për të ndihmuar familjet të mbijetonin vështirësive, është kthyer në një lidhje ku shumëçka tjetër ndodh dhe ku janë ngritur ura, nëpër të cilat kalojnë interesa, kalojnë investime, kalojnë edhe plot rikthime shqiptarësh në tokën mëmë, qoftë për të bashkëpunuar me miq apo të afërm në projekte të ndryshme, apo edhe për të qëndruar në Shqipëri”, vijoi ai.

Kryeministri Rama u ndal edhe te kontributi financiar i emigrantëve shqiptarë ndër vite, duke deklaruar se rreth 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e diasporës.

Ai e cilësoi këtë kontribut si një pjesë të rëndësishme të historisë së diasporës shqiptare, duke vënë në dukje se remitancat kanë ndihmuar familjet shqiptare në periudha të vështira.

“Por, siç e thashë, nuk jemi më në atë fazë ku diaspora jepte, Shqipëria merrte dhe marrëdhënia mbaronte aty. Jemi në një fazë tjetër ku diaspora nuk është vetëm kujtesë, nostalgji, solidaritet, por është një lidhje gjithmonë edhe më e fortë dhe një partneritet i cili ka hyrë në rrugën e një zhvillimi dhe ku sot kemi organet e një trupi krejt të ri që kemi ndërtuar”, theksoi Rama.

Në vijim, Rama foli për strukturat e krijuara për forcimin e lidhjeve me diasporën, duke përmendur institucionet e diasporës, këshillat koordinues, agjencitë që shërbejnë si ura lidhëse dhe samitet e diasporës.

Sipas tij, nga samiti i fundit i diasporës doli edhe Strategjia Kombëtare e Diasporës 2030, e cila përfshin fusha si qeverisja dhe shërbimet, dialogu dhe ekspertiza e diasporës, ekonomia dhe inovacioni.

“Institucionet e diasporës, këshillat koordinues, agjencitë që luajnë rolin e urave dhe, nga ana tjetër, samitet ndihmojnë për të bërë balancën dhe për të marrë përsipër angazhime. Kemi nisur të mbajmë një regjistër të diasporës, për ata që duan të investojnë në Shqipëri. Ky ndryshim në marrëdhënie ka ndodhur në mendësi. Regjistri kombëtar i diasporës është dritarja e investimit në Shqipëri. Vezët që m’u hodhën janë një shenjë, se ka dinamikë. Një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia dhe shpresoj të ketë kaluar mirë me policinë e Nju-Jorkut. Unë u ndodha njësoj si në Shqipëri, edhe policia e protestuesit, njësoj si në atdhe”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama takim me komunitetin shqiptar në Staten Island 1 nga 16

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›