E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me shtabin elektoral në njësinë 1: Punoni me votuesit e parë, shqipja do të bëhet gjuhë në TikTok

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot në darkë një takim me drejtuesen politike të qarkut të Tiranës Ogerta Manastirliu si dhe me shtabin elektoral të Njësisë Nr.1.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se votuesve të parë duhet t’u bëhet e qartë që të votojnë që të marrin pasaportën e Bashkimit Europian dhe shtoi se kjo do të bëhett realitet në mandatin e katërt të PS-së.

“Votuesve të parë duhet t’ua bëjmë shumë të qartë që të votojnë të marrin pasaportën e Bashkimit Europian. Këto vitet e mandatit të katërt do të bëjnë realitet gjënë më të madhe të mundshme, të paimagjinueshme, futjen në Bashkimin Evropian dhe të gjithë ju do të keni pasaportë të BE-së”, tha Rama.

“Me atë pasaportë shkon ku të duash në universitet, je student i BE-së, s’ke tarifë ekstra, nuk ke kuotë, ke shërbim shëndetësor njëlloj. Shqipëria bëhet e madhe sa Bashkimi Europian dhe Bashkimi Europian bëhet sa Shqipëria për ju. Kjo është më konkrete për ju”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe të bllokimi i aksesit të platformës TikTok në vendin tonë, ku tha se është i përkohshëm deri në plotësimin e kritereve që ka vendosur qeveria shqiptare.

“Ne TikTok-un nuk e kemi mbyllur përgjithmonë, e kemi mbyllur për të garantuar disa filtra mbrojtës për fëmijët dhe për ju. Jemi në kontakt me kompaninë”, tha Rama.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu bëri të ditur se janë në kontakt me kompaninë dhe se ata janë gati që të ofrojnë një rishikim të “gjithë termave që lidhen me algoritmet që për ata mbi 13 vjeç të prodhojë informacionet nga TikTok për shkencat sa ata munden, si dhe për njohjen e Gjuhës Shqipe”.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë shtoi se kompania ka thënë se do të vijë me një propozim konkret për kushtet e vendosura nga qeveria shqiptare.

“Ne u thamë që të vendosin filtra dhe njohjen e Gjuhës Shqipe si dhe stimulimin e disa programeve që ata kanë për shkencat, për ata që ju bëni në shkollë. Ata na kanë thënë se do të vijnë me një propozim konkret. U kam thënë bëhuni gati se do ta tregojmë publikisht. Shqipja do të bëhet gjuhë në TikTok, po na e dhanë këtë garanci, do ta hapim. Mbyllja ka vazhduar, çdo ditë ngushtohet gryka dhe brenda 15 ditësh do jetë i mbyllur”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›