Rama me shtabin elektoral të njësisë 3: Duhet të ngrihemi mbi rezultatet e vitit 2021

TIRANË, 3 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste dhe drejtuesja politike e Qarkut të Tiranës Ogerta Manastirliu zhvilluan mbrëmjen e sotme takim me shtabin elektoral të Njësisë Nr.3 në Tiranë.
Në një komunikim live online me shqiptarë jashtë vendit, Rama u kërkoi shqiptarëve të diasporës që të nxisin edhe të tjerët të vendosin votën në zarf dhe të çojnë zarfin në postë.
“Mos e bëni këtë gabim të thoni e kemi në xhep fitoren. Fitorja arrihet kur arrihet. Nuk ka fitore në xhep, fitorja është kur mbaron ndeshja dhe numërohen të gjithë votat. Ju që jeni atje e keni betejën tani për të nxitur të gjithë të fusin votën në zarf dhe të çojnë zarfin në postë”, tha Rama.
Kryeministri iu përgjigj një tjetër shtetasi shqiptar që jeton në Kanada i cili i kërkoi vendosjen e linjës së fluturimit SHBA-Shqipëri.
Rama e siguroi se po punohet për këtë çështje. “Kanë ardhur disa të shikojnë dhe jemi në proces, por duhet ca kohë se ka ca norma. Shpresojmë të bëhet vitin tjetër”, tha ai.
Kryeministri i ftoi të gjithë shqiptarët jashtë që të kontaktojnë kë kanë mundësi dhe ta nxisin që ta hedhin votën atje në postë. “Të marrim atë mbështetje që na takon nga ju jashtë se këtu brenda vazhdojmë punën”, tha Rama.
Në komunikim me shtabin elektroal të njësisë 3 në Tiranë, Rama u kërkoi që të jenë të fiksuar për çdo votë.
“Nuk duhet nënvlerësuar asnjë detaj. Duhet bërë çdo gjë si duhet. Duhet që struktura të jetë kompakte. Në këtët sistem ata që janë në garë kërkojnë vota gjithandej. Është e drejta e tyre, por ama struktura në çdo zonë duhet të jetë kompakte. E ka drejtuesin dhe duhet të ndjekë drejtuesin. Pjesa e tjetër është e lirë. Struktura kërkon votë për PS-në, ndërkohë që nuk bëhet palë me asnjë. Këto janë gjëra individuale, nga pikëpamja e strukturës ajo është kompakte, ndjek linjën: ‘voto PS, pastaj zgjidh”, shtoi Rama.
Manastirliu informoi se fokusi është objektivi në territor. “Kemi objektiva shumë ambicioz për Tiranën dhe çdo organizatë. Këtu pretendojmë 10 590 vota për PS-në”, tha ajo.
Kryeministri u shpreh se referencë krahasuese duhet të jetë rezultati i vitit 2021.
“Në vitin 2021 kanë qenë në formën e tyre më të mirë. Nuk e përsërisin dot 2021, nuk kanë asnjë shans, por ne duhet të ngrihemi mbi 2021. Ky është objektivi ynë, në çdo kuti na duhet 1 plus 2021 si minimumi jetik. Ata do shkojnë teposhtë, por ne na duhet vota jonë”, theksoi Rama.
Rama tërhoqi po ashtu vëmendjen për orientimin e votës së të rinjve.
“Të rinjtë që shkojnë pas kënetës janë shumë nën influencën e prindërve. Prindërit që janë në kënetë edhe ata kanë ato të tyret por ajo që është shumë e rëndësishme sot është që me të rinjtë sot mund të flitet konkretisht për pasaportën e BE-së. Nëse ka një kategori që pasaportën e BE-së e ka me më shumë vlerë janë të rinjtë. Në momentin që merrni pasaportën e BE-së ju jeni europianë të barabartë dhe kjo është një gjë që nuk e kemi përjetuar deri më sot. Ne bëjmë edhe pa atë se jemi mësuar më keq, por juve ajo ju ndryshon jetën”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se pasaporta europiane i bën ata njëlloj si europianët e tjerë.
“Pasaporta e BE-së u zgjidh çdo gjë në sekondë, i bën të barabartë. Shqiptarët kur ta kenë atë pasaportë nuk do t’u duhet asnjë lloj pasaporte tjetër. Edhe për t’u zgjedhur kryetar bashkie në BE zgjidhesh me pasaportë të një vendi të BE-së”, shtoi Rama.
Në përfundim kryeministri ironizoi edhe drejtuesin e koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ndërsa i kujtoi se në njësinë 3 nuk ka kaluar akoma. /j.p/