Rama: Me çdo kusht dhe me çdo çmim ne na duhet Bashkimi Evropian

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, deklaroi se Shqipërisë i duhet Bashkimi Europian “me çdo kusht dhe me çdo çmim”.
“Konsolidimi i domosdoshëm është në proces, sepse gjithçka është ende e kthyeshme, e brishtë dhe për këtë na duhet BE. Me çdo kusht dhe me çdo çmim ne na duhet Bashkimi Evropian. Ne na duhet të hyjmë në atë derë që është sot një mundësi reale, një derë që është hapur me premisën që deri në fund të 2027 të mbyllim negociatat si një vullnet i dyanshëm. Është një derë që mund të mbyllet nëse nuk jemi të shpejtë dhe të fokusuar për të shfrytëzuar hapësirën e kohës që kemi në dispozicion. Mund të mbyllet, sepse historia e BE-së për zgjerimin tregon që ajo derë edhe mund të mbyllet.”
Duke u ndalur në situatën më të fundit të sigurisë, Rama theksoi se pjesa perëndimore e Evropës ka qenë e përkëdhelur për faktin se gjeneratat e reja nuk kishin parë asnjë luftë në një dekadë.
“Para pak kohësh doli një anketë për nivelin e mbështetjes së BE-së brenda Be-së nga ana e popujve që përbëjnë familjen europiane, një anketë që publikohet që nga 1983. Nga ky vit BE-ja nuk ka qenë më popullor brenda perimetrit të vetë në këndvështrimin e popujve të vetë, se sa është aktualisht. Është një ndryshim dramatik i këndvështrimit popullor i BE-së që vjen si rezultat i faktit që çka ishte marr si e mirëqenë para pak kohës nuk është më e tillë. Popujt e BE-së, ku unë them që pjesa perëndimore është e përkëdhelur nga fakti se për herë të parë në histori një gjeneratë e tërë nuk ka parë një luftë.”
Tashmë, vijoi Rama, është vetëndërgjegjësuar se BE-ja është dhe perimetër sigurie.
“Një perimetër sigurie që brenda të cilët vendet që e përbëjnë ndihen dhe duhen të mbeten të pa kërcënuar në arritjet e tyre dhe ne liritë e tyre individuale dhe barazia para ligjit. E solla këtu këtë për të thënë se për ne shqiptarët ka qenë përgjithësisht më e thjesht dhe mbetet e thjesht pse është e domosdoshme të jesh në BE. Për ne shqiptarët të jesh domosdoshmërisht në BE është të qenët domosdoshmërisht të lirë nga hija e historisë sonë dhe të qenët të sigurtë se liria jonë individuale dhe barazia para ligjit për të cilën po bëjmë këtë përpjekje, nuk do të jenë një atribut i lëvizshëm në vrasi se kush qeverisë.“
Gjithashtu duke vlerësuar punën e Komisionit të posaçëm Antikorrupsion, të drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafa, Rama theksoi: “Ka qenë shumë e rëndësishme puna e këtij komisioni dhe ka qenë shumë e rëndësishme që kjo punë të jetë punë e një grupi kompleks institucionesh dhe burimesh njerëzore. Prania e tyre sot është vlerësim i kësaj pune.
“Nisja e punës së këtij komisioni u shoqërua me konfuzion dhe mosbesim, me teori konspiracioni ku fatkeqësisht prekën dhe miqtë përfaqësues të komunitetit demokratik në Tiranë. Kjo bëri që komisioni të hy në një fazë ku nga njëra anë besonim shumë në dobinë e tij për të konsoliduar gjithë këtë proces dhe progresit të bërë, në funksion të anti-korrupsionit dhe sundimit të ligjit, mbi të gjitha mirë qeverisjes në tërësi”, tha Rama.
Kryeministri gjatë fjalës së tij, u ndal dhe tek ecuria që ka bërë Shqipëria për hapjen e grupkapitujve me Bashkimin Evropian.
“Që prej 27 majit që komisioni nisi punët, ne kemi hapur dy grup kapitujt të negociatave ku kemi ambicien të hapim dhe të tjerë në vijim. Jemi pozicionuar më mirë si asnjëherë tjetër në të gjitha renditjet e BE në fushën e mirëqeverisjes dhe të antikorrupsionit. Sipas vlerësimeve, Shqipëria është ngjitur 18 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit, në TI dhe SIGMA që na vendosi qartësisht si vend lider në rajon për administrimin e financave publike, prokurimin publik, menaxhimin e burimeve njerëzore, koordinimin e politikave. Kjo është një vlerësim që ne nga thotë shumë për tu inkurajuar por nuk na pengon që të vazhdojmë të këmbëngulim në konsolidimin.“
/rtsh.al/