Rama me stafin civil e ushtarak në Bruksel, përgëzon ekipin: Jeni zgjdhur pa parti e kushëri

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me stafin ushtarak dhe atë civil shqiptar në zyrat e NATO-s në Bruksel.
Shefi i ekzekutivit vlerësoi punën e ekipit, duke vënë në dukje se ata janë zgjedhur më meritokraci.
“Këtu e vetmja parti që i bashkon të gjithë është partia e vlerave të demokracisë, lirisë. Patjetër që më vjen mirë që në këtë panoramë shoh ushtarakët tanë që siç do thuhej një herë e një kohë, këtu duken si ta jashtëm. Për hir të së vërtetës, të shikuarit nga brenda të realitetit të kësaj trupe njerëzish është një privilegj, sepse shikon jo vetëm potencialin, por edhe shfrytëzimin real të këtij potenciali”, tha Rama.
Me shaka Rama i tha stafit civil shqiptar që kanë lënë pa punë italianët e anglezët.
“Jam po ashtu dëshmitar që në takimet me kolegë, homologë të vendeve të BE gjithmonë e më shpesh dëgjoj fjalë realisht të bukura për ju, për njerëzit që na përfaqësojnë në nivelet e dyta e të treta të shtetit shqiptar. Mbani vendin e punës që e keni fituar me sprova e teste që janë shumë rigoroze. Jeni krenarë që kushedi se sa italianë, gjermanë, anglezë pa llogaritur të tjerët rreth e rrotull keni lënë pa punë se u keni zënë vendin”, shtoi kryeministri.
Më herët, kryeministri Edi Rama takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Lajmin e ndau vetë Rama në rrjetet sociale, ku shkruan se Rutte është mik i veçantë dhe mbështetës e paepur i Shqipërisë. Kryeministri Rama ndodhet në Bruksel me rastin e mbajtjes së konferencës së tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian. /vizionplus.tv