Rama me të rinjtë në Vlorë: Për herë të parë janë bashkuar ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE-së

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë për prezantimin e kandidatëve të Vlorës.
Në fjalën e tij Rama falënderoi edhe të rinjtë e FRPD Vlorë që iu bashkuan PS-së.
“Dua t’i falënderoj që na janë bashkuar në këtë përpjekje që siç jam munduar ta përsëris është një përpjekje përtej të gjitha atyre që janë temat e një fushate të zakonshme elektorale sepse më 11 maj ne kemi në dorë fatin historik të shfrytëzimit të një mundësie reale për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade dhe me mandatin e 4-t të PS-së për të përfunduar negociatat e anëtarësimit dhe për t’i dhënë të gjithëve ju pasaportën e BE-së”, tha Rama.
Rama u shpreh se, “është krenari për ne që kemi gjithë këtë përfaqësi të larmishme të Vlorës dhe të gjithë qarkut të Vlorës”.
“Më shumë se asnjëherë në këtë vite, të paktën për nga përmbajtja e vetë kjo është një fushatë dhe këto janë një palë zgjedhje ku votuesit e parë, ku ata që janë, kanë fatin të jenë më të rinj në moshë, më te reja në moshë sot, janë të interesuarit e parë, duhet të jenë të interesuarit e parë për rezultatin e 11 majit, sepse realisht janë bashkuar për herë të parë ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE-së”, theksoi Rama.
“Dhe nuk jemi vetëm ne, që si gjithmonë kemi ëndërruar, kemi dashur, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të qenë pjesë e familjes së bashkuar evropiane, por sot për arsye që nuk lidhen vetëm me ne, por që lidhen me ata vetë, janë edhe ata anëtarët e asaj familjeje që duan që ta marrin Shqipërinë sa më parë në BE”, tha Rama.
“Është shumë e rëndësishme që ta kemi mirë parasysh se për çfarë flasim, sepse nuk duhet shumë njohuri për historinë e BE-së për të parë që në periudha të ndryshme kohe BE ka pasur sjellje të ndryshme ndaj idesë së zgjerimit të familjes. Ka pasur periudha, momente kur zgjerimi ka qenë një plan strategjik i ekzekutuar me shpejtësi. Ka pasur kohë, siç ka qenë koha që na ka qëlluar ne në këtë periudhë kur zgjerimi për një moment të gjatë është lënë në plan të dytë”, theksoi Rama.
Madje, madje, shtoi Rama, “Komisioni i mëparshëm Evropian, ai përpara sesa të vinte Ursula von der Leyen me Komisionin e ri e hoqi fare zgjerimin nga agjenda. Deklaroi që në 5 vite nuk do ketë zgjerim dhe bëri një frenim të përgjithshëm të procesit”.
“Sot për arsye gjeopolitike që janë përtej nesh KE dhe BE duan të marrin në familjen e tyre anëtarë të rinj”, tha Rama.
/r.e/