E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama merr pjesë në hapjen e Konsullatës Shqiptare në Napoli

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Napoli (Itali), ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau foto nga ceremonia e hapjes së Konsullatës Shqiptare në Napoli, si dhe nga takimet me rektorët e universiteteve dhe me përfaqësuesit e katedrës së gjuhës shqipe.

Gjatë vizitës në Napoli, kryeministri Rama vizitoi edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit “L’Orientale” të Napolit, një prej qendrave historike të studimeve albanologjike dhe njëkohësisht katedra më e vjetër e gjuhës shqipe, e themeluar nga Jeronim De Rada dhe intelektualë arbëreshë.

Kjo katedër mbart një traditë të rëndësishme në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në takimin me stafin akademik të universitetit, kryeministri Rama vlerësoi rëndësinë e kësaj tradite dhe theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e një rrjeti më të strukturuar, që do të kontribuojë në ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e mëtejshëm të studimeve dhe trashëgimisë shqiptare.

Në këtë vizitë ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›