Rama ndan fjalimin e Thaçit në Hagë: Liria ka emër

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Në Gjykatën Speciale të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë u zhvillua sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pjesë ndaj fjalimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi para trupit gjykues.
“Liria ka emër”, shkruan Rama krahas videos me fjalën e Thaçit, i cili uroi fillimisht qytetarët e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë.
Para trupës gjykuese, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se është vetëm një e vërtetë, që akuzat nuk qëndrojnë.
“Unë jam plotësisht i pafajshëm, por e kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë. Unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, u shpreh ai.
Thaçi theksoi se është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës nuk e dinte nëse do të ishte gjallë nga ora në orë e nga dita në ditë.
“Unë nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan time dhe djalin e sapolindur, lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht për rreth 90 vite”, tha Thaçi.
Por sipas ish-Presidentit Thaçi, Kosova ishte më e rëndësishme se sa fati i tij personal.
Thaçi solli në vëmendje edhe kritikat për votën pro krijimit të kësaj gjykate, ndërsa uroi që koha të tregojë se ai kishte të drejtë.
“Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë pse e mbështetëm themelimin e kësaj gjykate. Kritikët thonë se kjo gjykatë synon kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe idenë e pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam, por uroj sinqerisht që koha të dëshmojë që unë kisha të drejtë dhe kritikët e kishin gabim. Kjo prokurori në vend që t’i heqë renë e zezë Kosovës, kërkon t’ia zërë diellin me një stuhi të zezë, të ashtuquajturën ndërmarrje e përbashkët kriminale”, u shpreh Thaçi.
Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënimin me 45 vjet burg për secilin prej katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
/m.m/j.p/