Rama ndan fotoalbumin nga punimet e Forumit Strategjik të Bledit

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën e 20-të ndërkombëtare të Forumit Strategjik të Bledit (Slloveni), si dhe në një sërë eventesh që u organizuan në kuadër të forumit.
Kryeministri ndau një fotoalbum nga punimet e edicionit të 20-të të Forumit Strategjik të Bledit.
Kryeministri Rama ishte i ftuar special në diskutimin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e Bashkimit Europian, me moderator Stjepan Oresković, sipërmarrës, president dhe themelues i IEDC Bled, Future 500 (International Executive Development Center).
Në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, Rama ishte pjesë edhe e panelit të liderëve në diskutimin mbi sfidat e zgjerimit të BE, së bashku me komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, kryeministrin e Republikës së Kroacisë Andrej Plenković, kryeministrin e Sllovenisë Robert Golob dhe kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajić, të moderuar nga Nathalie Tocci, drejtuese e Istituto Affari Internazionali.
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria po ecën përpara në procesin e anëtarësimit, me të gjithë angazhimin për realizimin e piketave dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Europian.
“Kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027-ën. Pra, këtë po bëjmë, pikërisht këtë, po shtyjmë, po ecim përpara”, tha mes të tjerash Rama.
Për dy dekada, Forumi Strategjik i Bledit ka ofruar një platformë për diskutime strategjike të nivelit të lartë mbi çështjet më emergjente me të cilat përballet Europa dhe bota.
Forumi 2025 ”A Runaway World” bën bashkë udhëheqës, ekspertë dhe vizionarë për të eksploruar rolin e Europës në formësimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.
Përmes dialogut strategjik dhe ideve inovative, konferenca adresoi sfidat e forcimit të qeverisjes globale, nxitjes së sovranitetit strategjik dhe ndërtimit të besimit në një botë gjithnjë e më të polarizuar.
1 nga 21/m.m/r.e/j.p/