Rama ndan opinionet e qytetarëve: Qukës-Qafa e Plloçës shkurton distancën, na shpëtoi të gjithëve

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Aksi rrugor Qukës – Qafa e Plloçës është tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve, duke krijuar një lidhje të rëndësishme për zonën juglindore të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga rruga e re dhe opinione të qytetarëve të cilët kanë kaluar përmes aksit rrugor më të ri, Qukës – Qafa e Plloçës, i cili i shërben të gjithë zonës së juglindjes.
Kreu i qeverisë në postimin e tij thekson se aksi ofron një udhëtim të këndshëm dhe në një kohë më të shkurtër.
Sakaq, qytetarët shprehen entuziastë për aksin e ri rrugor, i cili sipas tyre ka lehtësuar kalimin, ka ulur trafikun në zonën e Pogradecit dhe jo vetëm, si dhe ka shkurtuar udhëtimin nga Shqipëria e Mesme drejt Juglindjes dhe anasjelltas.
’’Super rrugë, shumë rrugë e mirë, shkurton kohë, shpëtuam edhe ne nga trafiku’’, u shpreh një qytetar.
’’Shumë e mirë! Rruga superspektakël, na shpëtoi të gjithëve’’, tha një tjetër.
’’Do lidhë Juglindjen me Shqipërinë e Mesme, na bëhet qejfi që ia arritëm kësaj dite’’, tha një qytetar tjetër.
Sipas tyre rruga shkurton shumë distancën me zonat e tjera.
’’Rrugë që i duhej këtij qyteti’’, tha një qytetar.
’’Shumë e mirë, shkurton shumë, dolëm në Pogradec për gjysmë ore’’, tha një tjetër.
’’Ne vinim për dy orë në Pogradec, tashmë për 20-25 minuta, me këtë rrugë kemi shpëtuar. Falenderojmë kryeministrin për këtë mrekulli që bëri për Mokrën’’, u shpreh një qytetar.
’’Nga Mokra në Pogradec, e shumta 30 minuta’’, u shpreh tjetër.
Emigrantët e shohin si mundësi për t’u rikthyer.
’’Unë vij nga Amerika, po rregulloj shtëpitë në fshat për t’u rikthyer, vetëm kjo na ka bërë për t’u rikthyer. Është fat i madh’’, tha një qytetar.
’’Na bëhet shumë qejfi që edhe në Shqipëri po bëhen shumë përparime për ne që vijmë nga jasht뒒, tha një tjetër.
’’Zonën e Mokrës e ka ndihmuar shum뒒, u shpreh një qytetar.
Aksi Qukës – Qafa e Plloçës është pjesë e Korridorit 8, një arterie e rëndësishme ndërkombëtare që lidh Shqipërinë me vendet fqinje. Segmenti përmban dy karrexhata nga 3,75 metra secila, me një metër korsi ndihmëse në të dyja anët, korsi të tretë në zonat me disnivele të theksuara për parakalime të sigurta, dy tunele, me gjatësi totale rreth 1,1 km, katër ura, nga të cilat dy janë ura metalike të varura.
Ky investim përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës kombëtare dhe përforcimit të lidhjes me Korridorin 8, duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm për rajonin dhe vendin.
/m.q//a.f/