Rama ndan pamje nga Gjiri i Lalëzit

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, Gjiri i Lalëzit në komunën e Ishmit, mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj.
Plazhi i Gjirit të Lalëzit ndodhet në veri të Durrësit dhe ofron kushte mjaft të mira në drejtim të higjienës dhe pastërtisë për pushues të të gjitha moshave.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, i shtrirë në bregdetin e Adriatikut midis Kepit të Rodonit në veri dhe Bishtit të Pallës në jug.
Pastërtia e rërës dhe ujit dhe shërbimi cilësor bashkohen me gjelbërimin e natyrës duke bërë që ky plazh të jetë një vend mjaft i preferuar nga turistët.
Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalëzit.
Zona mes Gjirit të Lalëzit dhe Kepit të Rodonit është një zonë që ofron gjithçka që i duhet një turisti vendas apo të huaj.
Madje edhe turistëve që preferojnë të bëjnë disa lloje aktivitetesh gjatë pushimeve të tyre.
Këtu mund të gjesh infrastrukturën e ndërtuar, pastërtinë e ujit dhe rërës për një plazh të mrekullueshëm, bukuritë e natyrës për kampingje, aktivitetin sportiv me biçikleta, apo turizmin religjioz te Kisha e Shën Ndout dhe atë historiko-arkeologjik te Kalaja e Skëndërbeut në Kepin e Rodonit.
/m.m/r.e/