SHBA – Trump mirëpret progresin në bisedimet me Rusinë, ndërsa janë planifikuar sanksione dytësore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se i dërguari i tij special, Steve Witkoff, kishte bërë “progres të madh” në takimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa Uashingtoni vazhdon përgatitjet për të vendosur sanksione dytësore më 8 gusht, sipas “Reuters”.
Trump tha në një postim në “Truth Social” se kishte informuar disa aleatë evropianë rreth takimit të Witkoff me Putinin, i cili ishte përqendruar në përfundimin e luftës 3-vjeçare që filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Të gjithë janë dakord se kjo Luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt kësaj në ditët dhe javët që vijnë”, tha Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më herët se takimi kishte shkuar mirë dhe se Moska do të vazhdonte bisedimet me SHBA-në.
Zyrtari tha se sanksionet dytësore që Trump ka paralajmëruar për vendet që bëjnë biznes me Rusinë pritet të zbatohen më 8 gusht. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme.
Witkoff u takua me Putinin për rreth tre orë në një mision të minutës së fundit për të kërkuar progres në negociatat për t’i dhënë fund luftës.
Trump ka kërcënuar se do të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe sanksione dytësore ndaj vendeve që blejnë naftën e saj nëse nuk ndërmerren hapa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump ndërmori sot një hap kyç në këtë drejtim – duke vendosur një tarifë shtesë prej 25% për importet nga India, duke përmendur importet e vazhdueshme të naftës ruse nga Nju Delhi.
Nuk u nënshkrua asnjë urdhër i ngjashëm për Kinën, e cila gjithashtu importon naftë ruse.
Masa e re rrit tarifat për disa mallra indiane deri në 50% – ndër më të lartat me të cilat përballet çdo partner tregtar i SHBA-së.
Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent, javën e kaluar paralajmëroi zyrtarët kinezë se blerjet e vazhdueshme të naftës ruse të sanksionuar do të çonin në tarifa të larta për shkak të legjislacionit në Kongres.
SHBA-ja dhe Kina kanë qenë të angazhuara në diskutime rreth tregtisë dhe tarifave, me synimin për të zgjatur pezullimin 90-ditor të tarifave – që përfundon më 12 gusht.
Pas kësaj date, tarifat e tyre dypalëshe të rriten sërish në shifra treshifrore. //a.i/