Rama ndan pamje nga kantieri i rikonstruksionit të gjimnazit “Jani Nushi” në Lushnjë

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punës në gjimnazin “Jani Nushi” në Lushnjë.
Në këtë kantier vijon puna për rikonstruksionin e shkollës “Jani Nushi” bashkë me ambientet e palestrës sportive të saj.
Ky rikonstruksioni është një domosdoshmëri për nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, e cila kishte mbi 50 vite pa u rikonstruktuar.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i kushteve bashkëkohore të mësimdhënies dhe jetesës në hapësirat e saj.
Nxënësit e kësaj shkolle janë transferuar përkohësisht tek shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” derisa të kenë mundësinë të mësojnë në ambientet e reja dhe moderne të shkollës së tyre me kushtet optimale dhe bashkëkohore.
Në projektin e rikonstruksionit të shkollës janë parashikuar dhe hartuar duke shfrytëzuar të gjithë ambientet ekzistuese dhe duke bërë një rishpërndarje të funksioneve në këto hapësira. Do të realizohen mjediset e nevojshme, funksionale duke ndërtuar klasa me parametra optimal. Gjithashtu janë parashikuar hapësira e bibliotekës, salla studimi, laboratorë kimie, biologjie, sallë informatike dhe të gjitha zyrat për pjesën administrative të shkollës .
Një rikonstruksioni total do t’i nënshtrohet dhe palestrës së shkollës ku do të organizohet me ambientet ndihmëse si dhomat e zhveshje për meshkuj dhe femra, dhoma e mësuesit, hapësirat e dusheve dhe tualeteve. /j.p/