E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama ndan pamje nga lumi i Shalës, i mbushur me turistë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Turistë vendas e të huaj kanë preferuar t’i kalojnë këto ditë të nxehta korriku në lumin e Shalës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi i Shalës, ku turistët përveçse lahen në lumin me ujin si kristal, preferojnë të ushtrojnë edhe sporte të ndryshme ujore.

Për të shkuar në lumin e Shalës turistët udhëtojnë me varkë në liqenin e Komanit, i cili të ofron një peizazh mahnitës. Turistët shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës, si dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km, duke u derdhur në liqenin e Komanit.

I izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës, ofron për turistët një panoramë të magjishme mes natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron, ndërsa vitet e funditështë përfshirë edhe në guidat e agjencive turistike.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›