Rama ndan pamjet: Jala plot me “patronazhistë”

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Plazhi i Jalës, rreth pesë kilometra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, në dalje të fshatit Vuno, është një prej destinacioneve të preferuara turistike për shumë shqiptarë dhe të huaj gjatë sezonit të verës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Jalës, i cili është mbushur me pushues këtë fillimgushti.
“Jala plot me patronazhistë”, shkruan Rama krahas pamjeve, duke iu përgjigjur në mënyrë ironike të gjitha pretendimeve për rënie të numrit të turistëve që frekuentojnë bregdetin shqiptar.
Plazhi i Jalës është nga vendet më të bukura dhe të veçanta për ujin, rërën, klimën dhe jodin e detit.
Një parajsë natyrore e vizatuar si nga dora e njeriut, plazhi i Jalës, është një nga atraksionet kryesore të të gjithë krahinës, falë peizazhit mahnitës, plazheve të pastra me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta./m.m/