Rama: Është rritur me 150% numri i turistëve të huaj

TIRANË, 2 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ka një rritje me 150% të numrit të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, krahasuar me vitin e shkuar.
Në një takim me banorë të Himarës, Rama iu përgjigj pretendimeve për rënien e numrit të turistëve.
“Nëse marr Palasën dhe Ksamilin ku buja u bë shumë e madhe dhe kërkesa u rrit shumë, ka pasur edhe një kërcim iracional të çmimeve, por kjo është çështje e tregut në fund fare. Ti e synon pastaj ta jep kokës tregu vetë”, tha Rama.
Sipas tij, “çështja kryesore nuk është kjo, por që hotelet janë super plot, ndërkohë që numri i restoranteve është rritur shumë më tepër se sa numri i shtretërve”.
“Restorante të caktuara që tradicionalisht kanë tërhequr fluks më parë, në momentin që janë rritur shumë çmimet njerëzit janë spostuar në oferta të tjera më pak të njohura, por më të arsyeshme. Ky është thelbi”, tha ai.
Sipas kryeministrit “ka edhe një komponent tjetër të antipropagandës”.
“Është normale se është konkurrencë, nuk është një çështje spiunësh e konspiracionesh. Është fakt. Doli një artikull para 2-3 ditësh në ‘Corriere della Sera’ ku thuhej se ata bënë një ulje të ndjeshme të çmimeve të çadrave dhe shezloneve prë shkak të konkurrencës në Shqipëri. Është konkurencë kjo. Natyrisht që bëjnë edhe luftëra të tilla sidomos sot me rrjetet sociale”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama e cilësoi akoma më qesharake edhe gjithë teorinë që shqiptarët e Kosovës nuk vijnë më.
“Shqiptarët e Kosovës në fakt këtë vit nga janari në korrik kanë ardhur më shumë se vjet. Janë mbi 130 mijë automjete më shumë që kanë hyrë në Morinë, po ta llogarisësh numri është më i madh në korrik se vjet”, shtoi ai.
Duke folur për çështjet e turizmit, Rama pranoi se ka nevojë të rishikohet politika e plazheve.
“Ne e kemi zbatuar 30% të plazheve publikë, por e kemi zbatuar në mënyrë vertikale dhe tani po punojmë edhe me një ekspertizë ndërkombëtare për ta bërë horizontale. Do të vendosim një tjetër kriter për tërheqje të shezlonëve nga plazhet”, shtoi ai.
Po ashtu, kryeministri theksoi se do të vendoset një kriter tjetër për kontributin që duhet të japë çdo operator për bashkitë. “Nuk është vetëm krevati por eshte edhe një kontribut i veçantë që quhet ‘city tax'”, shtoi ai.
Po ashtu Rama tha se do të luftohet informalitetin më shumë.
“Po të shohësh të ardhurat nga doganat, rritja e mallrave të konsumit është e jashtëzakonshme. Ama nga ana tjetër po të shohësh të ardhurat nga kjo rritje ka shumë informalitet. Akoma po bëjmë një sistem për gjurmimin e xhiros duke shtuar inteligjencën artificiale”, shtoi ai.
Kryeministri shprehu bindjen se Vangjel Tavo duke qenë kryetar bashkie do të ndërtojë dialog me të gjithë operatorët.
“Operatorët duhet të kuptojnë se ajo që i marrin qytetit dhe ia fshehin nuk i ndihmon të rrisin cilësinë e ofertës. Kjo nuk ndodh nëse qyteti nuk i ka ato lekë për ta bërë më bukur të gjithën, që të ketë më shumë prurje e kënaqësi nga shërbimi. Turizmi është i vështirë jo i lehtë, është konkurencë e vazhdueshme”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se situata me pastrimin është shumë më e mirë se vjet.
“Besoj se shifra fundore e turistëve do jetë e madhe. Këtë vit kemi shumë projekte të bukura. Kemi vendosur kritere e standarde për hotelet. Ajo që po gatuhet është shumë më cilësore se sa është gatuar deri më sot”, tha ai.