E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama ndan pamjet e transformimit rrënjësor të Spitalit Bashkiak të Mirditës

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale, pamjet e spitalit Bashkiak të Mirditës, tërësisht i transformuar dhe i rindërtuar që do të ofrojë shërbime shëndetësore me standarde dhe kushte bashkëkohore për rreth 20 000 banorë të Mirditës si dhe zonave përreth.

Në Spitalin e Mirditës janë instaluar aparatura dhe pajisje të teknologjisë së fundit duke krijuar lehtësi dhe siguri për stafin e mjekëve dhe infermierëve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Transformimi i infrastrukturës së godinës trekatëshe, me dhoma pritëse, salla operatore dhe aparatura të teknologjisë së lartë, e shndërron Spitalin e Mirditës në një strukturë të rëndësishme në veri të vendit.

Për shkak të shtrirjes dhe pozicionit gjeografik që ka kjo strukturë spitalore, ky spital do të mundësojë marrjen e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor edhe nga banorë përtej zonës së Mirditës.

Kujtojmë që ky është një tjetër investim, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ndërsa ky Spitali Bashkiak i Mirditës vjen në vazhdën e investimeve në infrastrukturën shëndetësore në të gjithë vendin, jo vetëm në spitale, por edhe në Qendra Shëndetësore.

Spitali Bashkiak Mirditë ofron shërbime në Patologji të përgjithshme, Pediatri, Kujdesi Paliativ, Reanimacioni, Obstetrikë-Gjinekologjia, Kirurgjia e Përgjithshme, ORL, Okulistikë, Neuropsikiatri, Laboratori Klinik-Biokimik, Shërbimi i Imazherisë dhe Poliklinika.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›