Rama në Bruksel me Fylen: Statusi për shqiptarët, jo për qeverinë

Kreu i PS, Edi Rama, ka marrë përgëzimet nga Komisioneri për Zgjerim në BE Stefan Fyle, për votën pro të opozitës për heqjen e imunitetit. Ndërkohë që kreu i PS ka deklaruar nga Brukseli pas takimit me Fylen se ata që e meritojnë statusin për në BE janë shqiptarët dhe jo qeveria. Gjithashtu kreu i PS ka deklaruar edhe rolin pozitiv të opozitës për të qenë sa më shpejtë në BE.
"Ne kemi ardhur këtu për të bërë avokatin e mirë të vendit tonë. Duke sjellë një qëndrim dhe një mesazh shumë të qartë nga ana opozitës shqiptare, që sipas nesh qeveria nuk e meriton, po shqiptarët e meritojnë mbështetjen e Komisionit Europian me propozimin për statusin e kandidatit. Shqipëria reale e standardeve europiane është ende larg. Por, gjithsesi mendoj që shqiptarët, qytetarët shqiptarë, pavarësisht nëse janë të majtë ose të djathtë, nuk meritojnë të ndëshkohen për të tretën herë radhazi për shkak të keqqeverisjes dhe të detyrave të paplotësuara të shtëpisë ndaj tyre nga ana e qeverisë që nuk u bën të mundur një Shqipëri të standardeve europiane në jetën e tyre të përditshme"ka deklaruar lidershipi i PS-së, Edi Rama.
Ndërsa nga ana e tij Komisioneri Fyle theksoi se Shqipëria ka një prespektivë reale për përparim në rrugën e integrimit europian, me kusht që vendi të sigurojë qëndrueshmëri në dialogun politik si dhe intensifikojë përpjekjet e saj për reformën e gjyqësorit dhe administratës publike.