Rama në Devoll: Nuk ka kohë për të humbur, duhet të vazhdojmë vetëm përpara

Kryeministri, Edi Rama, gjatë një takimi me zgjedhës në Devoll, u ka bërë thirrje zgjedhësve të kësaj bashkie se nuk kanë kohë për të humbur 4 vite të tjera, por duhet të vazhdojnë vetëm përpara.
Sipas tij, zgjedhësit në Devoll, nuk duhet të fusin sherrin në komunitet, pasi kandidati i opozitës nuk vjen në krye të bashkisë për punë, por për sherr, “për të marrë fondet për të marrë autobusë që të sjellin njerëz në Tiranë për të bërtitur ‘Rama ik’”.
“Kjo punë e nisur nuk duhet të hidhet në erë për të futur në bashki dikë që as nuk e njoh fare. Më mjafton të di se kush e sjell për dhëndër këtu, për t’u thënë mos fusni sherrin në komunitet. Nuk e sjellin këtu për punë por për sherr, për ta kthyer bashkinë në kështjellë lufte me qeverinë. Për të marrë fondet për të marrë autobusë që të sjellin njerëz në Tiranë për të bërtitur ‘Rama ik’. Po unë nuk kam ikur, këtu jam”- tha Rama.
Sipas tij, nuk ka nevojë shumë për fjalë në Devoll, sepse punët kanë folur vetë.
“Mos bëni gabimin të humbisni edhe 4 vite të tjera sepse nuk ka kohë për të humbur, duhet të vazhdojmë vetëm përpara”-tha Rama në fjalën e tij.
/rtsh.al/