E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 maji, Berisha: Qytetarët në terr informativ, fushata mediatike pa debat standard diktatorial

Sali Berisha tha se mosbërja e debateve publike mes kandidatëve lidhur me programet për zgjedhjet e 14 majit po lë qytetarët në terr. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se qytetarëve u mungon transparence dhe po u ofrohen vetëm fjalime të stisura dhe me mashtrime nga riliandasit.

“Unë besoj se transparenca dhe përgjegjësia para qytetarëve kërkon në mënyrë imperative debatet në të gjitha nivelet midis kandidatëve që garojnë për kryetar bashkie, midis këshilltarëve të parë që garojnë për kryetarë të parlamenteve lokale dhe në nivel qendror.

Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë të cilët dënohen të dëgjojnë fjalime të stisura, të mbushura me mashtrime nga rilindasit, dhe nuk kanë mundësi për asnjë lloj llogaridhënie, transparence.

Refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë. Ka në bazë vjedhjen e miliarda eurove me tendera në masën 80-90% në shkelje flagrante te ligjeve të vendit.

Refuzimi i debateve televizive ka në bazë transferimin e pasurive, fondeve te familjarë të Edi Ramës dhe në tërësi kryetarëve të bashkive në mbarë vendin. Ky refuzim ka në bazë frikën e tmerrshme nga veprimtaria antiligjore e këtyre përfaqësuesve”, tha Berisha.

Berisha tha se do të donte një debat me Ramën, ku qytetarët do të njiheshin me dokumente lidhur me ato që Berisha i cilëson si afera të kryeministrit. Por për Berishën “Rama nuk del dot në debat, sepse është i rrethuar nga të katërta anët nga muret e krimeve të tij.”

“A mund të imagjinoni ju të dalë qytetarëve Edi Rama në debat me Sali Berishën? Ky është një rast i artë për qytetarët shqiptarë për t’u njohur me të gjitha aferat me dokumente zyrtare që mbajnë firma dhe vula të kësaj administrate të vjedhjes së Edi Ramës. Me të gjitha tenderat e fituara nga baxhanaku dhe thjeshtra e tij në kundërshtim flagrant me ligjet. Është një rast për të njohur qytetarët shqiptarë për të gjitha pasuritë e tij dhe larjen e parave në këto pasuri të Edi Ramës.

Origjinën e parave për ndërtimin e pallatit në Pajë. 5 katësh në sheshin e pallateve në Tiranë, pallatit famoz për të cilin nuk ekziston asnjë faturë e asnjë lloji përveçse një larje parash e pastër e qartë. Po kështu, me sarajet e Surrelit. 720 m linerare të gjata themelet. 5 mijë metër katrorë parku përreth shtëpisë, me ullinj që shkojnë të shkulur anë e kënd vend, dhe që shkojnë dhjetëra e qindra euro.

Pra Edi Rama nuk del dot në debat, sepse është i rrethuar nga të katërta anët nga muret e krimeve të tij. Lidhje të tmerrshme me McGonigalin, të cilat edhe dje u denoncuan si lidhje që po hetohen intensivisht nga drejtësia e SHBA. Lidhje të tmerrshme me klanet e drogës, të cilat edhe dje u denoncuan në mediat amerikane si fakt i pamohueshëm se shërbimet e këtij vendi kanë dosje të trasha droge dhe lidhjesh dhe krimi të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Por ky standard është standard diktatorial, është standard i rrezikshëm për vendin. Ndaj iu bëj thirrje qytetarëve, socialistëve të bëjnë të gjithë presionin e duhur, që ata që quhen përfaqësues të tyre, që në fakt nuk përfaqësojnë ata, por veten e tyre të detyrohen të paraqiten në debate, qoftë edhe në sheshe publike. Qoftë edhe pa media po me vetëm me prani qytetarësh”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›