E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama në Dibër: Është vizituar nga 26 mijë turistë! Mbrojmë me çdo kusht çmimin e energjisë

Nga Dibra teksa zhvilloi një takim me operatorët turistike për të diskutuar mbi zhvillimin e turizmit, kryeministri Edi Rama u ndal tek kriza energjetike.

“Nëse nuk kemi shi kemi atë hallin e madh të çmimit të energjisë elektrike pasi detyrohemi të dalim në import. Ndërkohë që ne duam ta mbrojmë me çdo kusht çmimin për familjarët dhe për këtë shtresë sipërmarrësish të vegjël që falë mbështetjes që marrin nga qeveria mund të vazhdojnë të operojnë normalisht”, tha Rama teksa apeloi për kursim të energjisë elektrike.

Kreu i qeverisë deklaroi se është për tu vlerësuar se qarku i Dibrës këtë vit është vizituar nga 26 mijë turistë. Ai u ndal edhe te rruga e Arbrit ku tha se punimet po ecin me ritmin e breshkës, për shkak të problemeve gjeologjike në tunelin e Murrizit.

“Sot numërojmë deri 26 mijë turistë në Dibër, e paimagjinueshme deri pak vite më parë. Kush do vinte në Dibër nga rruga e llahtarshme, tani rruga e Arbrit është një realite, kemi tuneli i Murrizit i cili ka shfaqur një problematike, për arsye gjeologjike, prandaj kompania ecën me ritmin e breshkës, 1 metër në ditë. Me buxhetin e vitit të ardhëm është planifikuar edhe lidhja me Maqellarën që praktikisht e sjell makinë me rrugën e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë. Po ecim me rrugën e Lurës dhe lidhëse të Bulqizës me Librazhdin, kemi një problematik shpronësimesh që kërkon kohë dhe para, dhe me fondet nuk jemi në ditët më të mira se po na ha shumë mbrojtja nga çmimi energjisë elektrike, mbrojtje e cila ka bërë ta mbajmë inflacionin më ulet se vendet e tjera të tregut”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka premtuar furnizim 24 orë ujë në Burrel.

“Në Burrel 24 orë ujë së shpejti. Po ndërtohen e gjitha infrastruktura. Faji jonë është që nuk ishte vendosur dorë kurrë. Si? Dhe si mund të bëheshin të gjitha këto në kushtet për mandatin e parë ishte një gropë e madhe, e tmerrshme borxhesh. Në mandatin e dytë nuk morën dot frymë, pandemia, pastaj lufta. Lufta me bomba atje por inflacioni është këtu, kriza e çmimit të energjisë shkaktuar nga lufta me qëllim. Ukraina është sebepi, lufta është për të gjunjëzuar gjithë perëndimin, dhe ne jemi pjesë e botës Perendimore”, tha Rama. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›