E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Kavajë: Rilindja do ta çojë prapa diellit katragjyshin me antiplumb

Është ora që ti japim mundësinë Shqipërisë të rilindë.Me këtë thirrje i është drejtuar qytetarëve të Kavajës kreu i selisë rozë Edi Rama në përmbyllje të mitingut të tij elektoral në këtë qytet. Rama shtoi më tej se, kavajësit janë më të qartë se kurrë për votën pasi do duhet të zgjedhin mes punistit Kastriot Islami dhe birit të tyre, dhjetoristit Parid Cara.

Sot shikojeni të dashur, Sekretari i Partisë së Punës Sali Berisha është bashkuar me Kastriot Islamin ndërsa unë jam bashkuar me djalin tuaj një nga dhjetoristët Parid Carën. Gjërat kanë shkuar në vendin e tyre, ata të së shkuarës janë bashkë dhe ne të së ardhmes jemi bashkë. Saliu vjen me Kacin këtu në Kavajë dhe ju thotë hajde të shkojmë përpara, përpara me Saliun dhe Kacin është ti biesh nga mbrapa dhe mos ta gjesh me kurrë rrugën, ndërkohë unë kam ardhur me Paridin se së bashku është ora që ti japim Shqipërisë mundësinë të rilindë, tha Rama.

Duke iu referuar marrjes së Bashkisë së Kavajës në maj të 2011, Rama u shpreh i sigurtë se sëbashku me qytetarët e Kavajës do të nxjerrin në pension Kryeministrin Berisha në 23 qershor.

Rilindja do ta marrë përpara dhe do ta çojë prapa diellit katragjyshin me antiplumb. Atë që 20 vjet, erdhi këtu duke ngritur 2 gishtat, por jo për të mbajtur lart dinjitetin e Lëvizjes së Madhe kundër regjimit, jo për të mbajtur lart shpresat dhe ëndrrat, por për ti përdorur ato dy gishta si një sfurk në sytë e njeri tjetrit. Ndërsa ne sot vijmë këtu krenarë sepse prej 2 vitesh po i japim Kavajës provën e prekshme që të votosh për socialistë do të thotë të votosh për vetveten.- theksoi kryesocialisti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›