E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Podcast: Pensionet dyfishohen në 2027, ndërsa paga minimale rritet në 500 euro

Kryeministri Edi Rama njoftoi në podcastin e tij se me hyrjen e vitit 2026 do të nisë një cikël i ri i rritjes së pensioneve, duke paralajmëruar se ato do të dyfishohen në janar 2027, trefishohen në janar 2028, katërfishohen në janar 2029 dhe pesëfishohen në janar 2030. Po ashtu, nga 1 janari 2026 do të rritet edhe paga minimale, që do të arrijë 500 euro, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

“Me hyrjen e vitit të ri 2026 nis dhe historia e re e rritjes së pensioneve. Të cilat do të nisin të rriten nga janari dhe do të dyfishohen në janar të 2027, do të trefishohen në janar 2028, do katërfishohen në janar 2029 dhe do të pesëfishohen në janar 2030. Më 1 janar 2026 do të rritet edhe paga minimale. Ashtu siç jemi zotuar do të jetë 500 euro qoftë në sektorin publik ashtu dhe privat”, u shpreh Rama.

Rama gjithashtu informoi se vizitoi Dohën ku zhvilloi diskutime intensive me kryeministrin e Katarit, sheikun Muhamed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, dhe paralajmëroi një vizitë të tij në Shqipëri në fillim të vitit të ri. Bashkëpunimi pritet të përfshijë projekte spitalore me standarde të larta, si në sektorin privat, ashtu edhe në partneritetin publik-privat.

“Para pak ditësh vizitova Dohën ku kalova disa orë diskutimesh intensive me kryeministrin e Katarit, sheikun Muhamed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, një ndër udhëheqësit më të talentuar dhe më të repsektuar të botës së sotme, i cili do të vij me shumë Shqipëri në muaj e parë të vitit te ri. Prekëm shumë tema me të dhe do të përgatisim një agjendë ambicioze bashkëpunimi të cilën do ta bëjmë publike gjatë vizitës së tij në Shqipëri, por mund të them qysh sot se të sjellim në vendin tonë një ndër ekselencat më prestigjioze të shërbimin spitalor qoftë si praktik private ashtu si praktik partneriteti publik-privat që do të ndikoj shumë në rritjen e standardeve të shërbimit tonë publik spitalor”, tha ai.

Kryeministri përmendi gjithashtu se Shqipëria ishte mikpritëse e një samiti evropian ku u diskutua plani i ri i rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Rama theksoi përparimin e Shqipërisë dhe rritjen e kuotave të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Edhe këtë javë Shqipëria u bë mikpritëse e nja samiti evropian. Këtë herë mes vendeve të rajonit dhe KE për planin e ri të rritjes ku bashkë me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe komisioneren e BE Marta Kos si dhe skuadrën e saj të ekspertëve bën një bilancë të ecurisë të planit të ri të rritjes ndamë pikëpamje të vlefshme për integrimin e mëtejshëm ekonomik në rajon dhe integrimin si rajon në tregun e përbashkët europian. Shqipëria nuk ndalet më nga askush dhe për asnjë arsye ndërkohë që kuotat e vendit tonë vazhdojnë të rriten me shumë punë dhe shumë krenari në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, theksoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›