Rama në Slloveni, merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, projekt i qeverisë sllovene. Kryeministri Rama do të jetë pjesë e Panelit të liderëve, i cili këtë vit ka si temë diskutimi “Rregulli i pushtetit apo pushteti i sundimit”.
Në një intervistë për mediat sllovene Rama foli për ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në, për arritjen e marrëveshjes për dokumentet midis Kosovës dhe Serbisë si edhe për udhëtimin e lirshëm të qytetarëve të dy vendeve.
Kryeministri u shpreh i kënaqur që më në fund iu dha fund ngërçit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet zyrtare për në BE, por konsideroi një turp të madh faktin që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza pasi vendet e BE-së e mbajnë ende peng duke mos i dhënë liberalizimin e vizave.
Pyetjes nëse ka mospërputhje në rritje midis autoritetit të Shqipërisë dhe të Kosovës sa i takon marrëdhënies me Beogradin, Rama ndërsa theksoi se dy vendet mund të kenë dallime në ideologji, por ekziston fryma e bashkëpunimit nga të dyja palët.
Prononcimi i plotë
“Kënaqësia nuk është një fjalë që mund ta përdorim por po, sigurisht jemi të kënaqur që më së fundi këtij ngërçi i erdhi fundi dhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu po nisin tashmë procesin formal të bisedimeve të anëtarësimit”.
A mendoni se pas vendimit të Kosovës dhe Serbisë për të ulur armët për shkak të tensioneve të fund korrikut tashmë procesi i anëtarësimit dhe me sinjalet e sotme të kancelarit gjerman Scholz, do të mund të përshpejtohet?
Sinqerisht nuk jam i sigurt që do të ketë një përshpejtim në përgjithësi për shkak të arsyeve gjeopolitike por dua të shpresoj që për shkak të arsyeve gjeopolitike, komuniteti i ri europian politik i propozuar nga Macron dhe i shtjelluar nga Charles Michel, për të cilin po punojmë sëbashku me qeverinë holandeze dhe unë me kryeministrin Rutte do të përshpejtojë, është një ide shumë e rëndësishme dhe me shumë potencial.
Nga ana tjetër sa i takon Serbisë dhe Kosovës, mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar dhe tani çlirimtaret (vendet e BE-së) e mbajne peng duke mos i dhene liberalizimin e vizave.
Sa i takon dialogut midis tyre, e kam fjalën mes Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, ka shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit.
A ka një përputhje në rritje midis autoritetit në Shqipëri dhe në Kosovë sa i takon marrëdhënies me Beogradin?
Nuk ka një gjë të tillë si autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës. Janë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptaret në Kosovë si autoritete të shteteve. Nuk ka mospërputhje. Natyrisht kemi disa dallime që është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si arrihet aty.
Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja. Faleminderit!
Forumi zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e 21-të.
Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.
Forumit do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
/rtsh.al/