Rama në Turqi për vizitë zyrtare, pritet të takohet me presidentin Erdoan

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë të martën (20 shkurt) një vizitë zyrtare në Turqi. Sipas medieve turke, Rama do të zhvillojë një takim me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdogan).
Të dy krerët pritet të diskutojnë çështje të tilla si lufta kundër migracionit të parregullt, marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimi i bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.
Dy liderët do kryesojnë edhe takimin e Këshillit të Nivelit të Lartë për Bashkëpunimi Strategjik Turqi–Shqipëri, i cili do të mbahet në Ankara.
Përveç marrëdhënieve dypalëshe, bisedimet e kryeministrit Rama do të fokusohen edhe te zhvillimet rajonale e globale, siç është mbrojtja e stabilitetit në Ballkan.
Në kuadër të vizitës do të firmosen edhe një numër dokumentesh që kontribuojnë në forcimin e raporteve të Shqipërisë me Turqinë.
Dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje në vitin 2021 për të përmirësuar lidhjet e tyre në nivel partneriteti strategjik.
Shqipëria është në mesin e vendeve që gëzojnë lidhje të mira me Turqinë, ndërsa në aspektin ekonomik, rreth 300 kompani turke kanë kryer investime që arrijnë deri në 3 miliardë dollarë sipas Ministrisë së Jashtme turke.
/rtsh.al/