E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Velipojë: Fokus te cilësia dhe zhvillimi turistik. Godinën e bashkisë Shkodër mund ta kthejmë në muze

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit në Velipojë dhe Shkodër, ku theksoi rëndësinë e rritjes së cilësisë në shërbime dhe zhvillimit të infrastrukturës për të përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike të këtyre zonave me potencial të lartë.

“Të ardhurat do rriten në mënyrë të jashtëzakonshme, ashtu si dhe mundësia për të paguar më shumë stafet, sepse gjithçka lidhet me cilësinë,” u shpreh Rama nga Velipoja, duke u bërë thirrje operatorëve turistikë të synojnë standardet më të larta evropiane.

Ai vuri në dukje nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe përmendi disa projekte në proces, si aksi Milot–Balldren, Milot–Muriqan, si dhe ndërtimin e Bypass-it të Shëngjinit. Rama foli edhe për rëndësinë e përmirësimit të lidhjes së Tales me bregdetin, përmes rrugëve të brendshme, dhe krijimin e një infrastrukture moderne hotelerie.

“Kemi bërë gabime në të shkuarën, por tani është koha për të kthyer këtë zonë në një nga destinacionet më të bukura të Europës,” tha Kryeministri.

Në Shkodër, kreu i qeverisë e vuri theksin te nevoja për vendosjen e kulturës dhe artit në shërbim të turizmit, për të rritur numrin e vizitorëve të huaj. Rama deklaroi se për pasojë synohet transformimi i godinës së bashkisë në një muze, si një hapësirë që do t’i përkiste publikut.

“Jemi në diskutim me kryetarin e bashkisë për transformimin e godinës së bashkisë së Shkodrës në një muze. Administrata e bashkisë mund të lëvizë diku tjetër, s’ka nevojë të rrijë në atë mjedis që është realisht një mjedis spektakolar dhe pse të mos jetë një mjedis i hapur dhe i vizitueshëm për të gjithë. Kur them muze, në këtë rast kam parasysh një qendër kulturore, një hapësirë ku të ketë lëvizje të vazhdueshme, aktivitet të vazhdueshëm ku mund të qëndrojë zyra e përfaqësuesve, e kryetarit të bashkisë, por ku pjesa tjetër fare mirë do të ishte t’i përkiste publikut”, u shpreh kryeministri.

Ai përmendi edhe disa projekte që janë në zhvillim në këtë qytet si Muzeu i Kujtesës apo Sheshi i Xhamisë së Madhe.

“Ne duhet të ecim me një program të përbashkët të qeverisë dhe bashkisë për artin dhe kulturën, të përqendruar në Shkodër pasi arti dhe kultura këtu kanë një traditë dhe e kombinuar edhe me elementë të tjerë që ka qyteti, mund të bëjnë një punë shumë të madhe për më shumë turizëm dhe për më shumë biznes. Para pak ditësh Arkivi i Marubit u vulos si pasuri botërore dhe tani mund të themi që jo vetëm me fjalë, apo çfarë ne besojmë, por edhe me ligj me vulë, Shkodra ka një kontribut në kulturën e botës. Kemi disa gjëra në zhvillim, kemi Muzeun e Kujtesës, kemi projektin e jashtëzakonshëm të Sheshit të Xhamisë së Madhe të Shkodrës. Në këtë projekt do krijohet një hapësirë e madhe për kulturë, muzealizim në një kënd tjetër të një historie q nuk duhet harruar, historia e mënyrës sesi feja në Shqipëri ka rrugëtuar për të ardhur sot në lirinë që ka. Kemi Muzeun e Lundrimit që është projekt i nisur”, deklaroi kryeministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›